Buxheti i shtetit edhe për 2018 është rishikuar në mes të vitit.Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimet ku konstatohet se të ardhurat janë ulur me 4 miliardë lëkë në krahasim me planin.Efektin kryesor në këtë ndryshim e ka dhënë kursi i këmbimit. Nga ndryshimet e buxhetit preken edhe punonjësit e administratës, pasi qeveria nuk parashikon rritje pagash.

Qeveria shqiptare ka rishikuar përsëri buxhetin në mes të vitit për shkak të performancës së dobët të të ardhurave doganore.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe nëse bëjmë një krahasim me planin fillestar, të ardhurat por edhe shpenzimet e përgjithshme ulen me mbi 4 mld lekë.

Ndryshimi i buxhetit në mes të vitit është një fenomen i kritikuar si nga ekspertët, ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Efektin kryesor në këtë ndryshim të të ardhurave e ka dhënë kursi i këmbimit valutor, i cili ka sjellë 3.6 mld më pak, një efekt ky që pritet të ndihet edhe në muajt në vijim duke marë parasysh faktin se monedha europiane vijon të mbetet e dobët.

Sipas vendimit, të ardhurat ulen nga nga 357,4 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar në 353,3 miliardë lekë në aktin normativ. Ky ndryshim prek edhe punonjësit e administratës për të cilët nuk parashikohet rritje pagash për vitin 2018.

Përsa i përket fondeve për investime, qeveria nuk ka miratuar shkurtim fondesh, por vetëm rialokim të tyre nga projektet me perfomancë të ulët, tek ato me realizim më të lartë.

Ndryshimet e fundit të buxhetit janë pozitive pasi parashikojnë një shumë të veçantë për shpërblimet në fundvit dhe shuma e vendosur në dispozicion është rreth 30 mln dollarë.

Ndryshimet e miratuara nga qeveria për buxhetin e këtij viti pritet të diskutohen në shtator në Kuvend me nisjen e sesionit të ri.

Performanca e të ardhurave në buxhet ka qenë negative për 6 muajt e parë të vitit.

Sipas treguesve fiskal të Ministrisë së Financave, nëse bëhet një krahasim me planin në buxhet mungojnë mbi 7 mld lekë.


Buxheti 2018        ISHTE                              BËHET

Të ardhurat         357 .4 mld lekë             353,3 mld lekë -4 mld lekë

Shpenzimet         389, 8mld lekë              385,7 mld lekë -4 mld

Defiçiti                 32 3 mln lekë                32,366 mln lekë


/Ora News.tv/