Një projekt danez për teatrin e ri dhe vendosmëria për të shembur ekzistuesin ka qenë pjesë e prezantimit të projektit të ri për të cilin është kujdesur vetë kryeministri Rama. Përballë aktorëve, ku munguan kryesisht ata që e kanë kundërshtuar vendimin për shembejn e teatrit aktual, kreu i qeverisë ironizoi ata që kanë dalë në protesta dhe ka premtuar se teatri i ri do ndërtohet brenda 3 viteve në partneritet publik privat. 

Kryeministri Rama nuk tërhiqet nga projekti për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar në vend të atij ekzistues. 

Në kulmin e debatit dhe kur një pjesë e artistëve e kanë kundërshtuar këtë vendim, Kryeministri ka bërë publike projektin në një sallë ku munguan zërat e aktorëve që kanë dalë kundër edhe pse në sallë përballë kreut të qeverisë ishin ulur pak prej tyre. 

Sipas Ramës, godina e teatrit të ri nuk do ketë kullë por do të jetë një objekt që do t'i rikthejë dinjitetin aktorëve dhe qytetit edhe pse sipas tij nuk ka asgjë të keqe edhe nëse ka kullë. 

Rama: Nuk është një teatër me kullë, por nuk është asnjë mëkat edhe po të ishte një teatër nën kullë. Teatrot e Broduejt janë të gjithë nën kulla. Kur shkojnë njerëzit në teatër, nuk shohin kullat por shohin teatrin.Megjithatë, është një debat që ju mund ta vazhdoni me njëri-tjetrin. Besoj se është shumë e qartë se këtu nuk është historia se çfarë ka sipër apo anash, pavarësisht se sipër do të ketë një tjetër hapësirë teatrale në qiell të hapur dhe anash do të ketë hapësirat e veta për artistët.Pas shqyrtimit të propozimit nga pikëpamja formale, ne do të hartojmë projektligjin dhe ky projekt do të bëhet me ligj të veçantë nga Parlamenti i Shqipërisë. Ky është prezantimi im i përgjithshëm.

 Projekti është kundërshtuar ashpër nga disa aktorë që nuk ishin të pranishëm gjatë prezantimit të projektit. Por edhe pse nuk i kishte përballë, Rama e kishte një mesazh edhe për ta.

Rama: Padyshim do të ketë dhe hapësirën e yjeve të shuar dhe të pashuar të historisë së Teatrit Kombëtar. Kush ka kaluar në atë histori dhe ka lënë gjurmën e pashlyeshme të yllit të vet por nuk jeton më, do të jetojë aty si shëmbëlltyrë në hapësirën e përgatitur enkas. Ashtu sikundër kush del sot në protesta që të mos prishet godina duhet të mendojë sesi të lërë yllin e vet aty, se godinës nuk ka çfarë i bën.

Projekti, i cili u prezantua nga arkitekti danez bashkëkohor Bjarke Ingels, do të kalojë në Parlament me ligj të veçantë pasi ai do të ndërtohet në partneritet mes Bashkisë Tiranë dhe sipërmarrjes private. 

Arkitekti danez ka parashtruar idenë e tij të shtrirë në një hapësirë prej 9 mijë metrash katrorë me katër salla. 

Risi për artdashësit do të jenë shfaqjet në qiell të hapur, në sallën e improvizuar në tarracën e ndërtesë, ndërsa salla kryesore do të presë 620 spektatorë. 

Pjesë të projektit do të jenë edhe dhe 2 salla të tjera të tipit Black Box. Derisa të ndërtohet Teatri i ri aktorët do të mund të japin shfaqje në dy sallat e qendres multifunksionale Turbina. 

Sipas kryeministrit Rama, Turbina nuk është zëvendësuese e përhershme, por alterntative deri sa të ndërtohet Teatri i ri. 

Disa artistë dolën hapur kundër prishjes së teatrit ekzistues duke aluduar se në vend të tij do të ndërtoheshin kulla. 

Ata kërkuan rindërtimin e teatrit ekzistues gjë që nuk u pranua nga Ministrja Kumbaro, as nga bashkia e Tiranës dhe as nga kryeministri Rama.


/Ora News.tv/