Rama ne Kuvend: Protesta i dha një shuplakë qeverisë, grusht opozitës
Duke marrë zotimin në foltoren e parlamentit se do të plotësojë të gjitha kërkesat e studentëve një për një, Kryeministri theksoi se kjo arrihet vetëm përmes dialogut. Kush nuk do që studentët të flasin me qeverinë, për Ramën kërkon vetëm ta prishë këtë protestë. I sigurtë se do ta fitojë këtë betejë, Rama u bëri thirrje studentëve se nëse bashkëpunojnë kanë mundësinë e madhe të kurojnë sëmundjen e sistemit universitar.
Qeveria e ka nxjerrë mësimin nga shuplaka që studentët i dhanë me protestën e fundit. Me këtë reflektim, kryeministri Edi Rama në parlament kërkoi sërish dialog me studentët për të ndërhyrë rrënjësisht në sistemin universitar
Edi Rama: Leximi im i protestës së studentëve, shumë shkurt.E para, protesta i dha një shuplakë qeverisë; E dyta, protesta i dha një grusht opozitës; E treta, protesta i dha një shpresë shoqërisë.Shoqëria kërkon zgjidhje dhe shoqëria nuk mund ta pranojë që zgjidhja mund të vijë me porosi nga doktoresha e shkencave Monika Kryemadhi, nga profesor Lulzim Mziu, apo nga profesor Qorri.
Zgjidhja vjen me dialog. Opozita kërkon vetëm bllokim të zgjidhjes, sepse kërkon që të nxjerrë gështenjat nga zjarri duke futur studentët në qorrsokak. Qeveria zgjidhjen e ka dhe do ta japë me dialog.
Pse na duhet dialogu?Përshembull, ka një pikë aty që thotë vettingu i titujve. Ne kemi një plan si duhet bërë kjo. Duhet rënë dakord për planin.Një gjë di unë, brenda 6 muajve të ardhshëm, kryetarja e LSI-së do të jetë doktoresha e parë e shkencave që do të heqë bluzën e doktorit e do të mbetet me çizmen e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kjo protestë për Kryeministrin ka dhe anën e errët të saj, atë të pengmarrjes nga opozita e cila nuk do dialog dhe zgjidhje.
Edi Rama: Një opozitë që vrapon për t’u futur mes jelekëve portokalli tek Astiri, se nuk ka kurajën të dalë e t’i thotë popullit që unë jam me studentët, sepse e ha mbrapsht flakërimën, ashtu sikundër askush nuk do ta dëshironte në politikë. E pra, pyetja këtu është, çfarë fshihet pas bllokimit të dialogut?Kjo është e padëgjuar.Çfarë fshihet mbas gjithë asaj propagandë të shfrenuar që investohet nga ndërmarrja e doktoreshës dhe nga SHQUP-i këtu e nga ai profesor Qorri, që thonë në asnjë mënyrë dialog?
Fshihet nga njëra anë, qëllimi që këto mos zgjidhen, që studentët të acarohen në mënyrë sa më artificiale e të futen në qorrsokakun ku i do kjo opozitë që ka qyshkur ka humbur zgjedhjet që premton revolucion, që kërcënon me destabilizim, që kërcënon për kaos, që kërcënon për djegie, kjo opozitë që shpërndante mesazhet që të martën pas pushimeve do iki qeveria, ose do digjet Tirana.
Të njëjtin mesazh e kishte edhe për pedagogët që pengojnë dialogun e studentëve me qeverinë.
Edi Rama: Kur kam parë dje, një video nga diskutimi në Fakultetin Ekonomik, që studentët e mbledhur aty kërkonin të binin dakord e të kishin konsensus për të hapur dialogun dhe studentëve ju fliste një fantazmë e Partisë së Punës, e pjesës më vulgare të Partisë së Punës, një doktor shkencash që doktoratën e ka bërë me titullin “efiçensa e kalit në ekonomi”, - është titull doktorature nuk është poezi satirike. Një personazh që nuk kam asgjë personale, por unë e dija tanimë në botën tjetër dhe aq shumë u habita, sa besova që më bënin sytë.
Një personazh që përfaqëson gjithçka që ne nuk mund ta gëlltisnim më, kur dolëm në vitin ’90-të kundër regjimit. Fytyra e mediokritetit dhe e gjithë hipokrizisë dhe e gjithë farsës së atij regjimi ju flet studentëve, sot, me megafon dhe ju thotë pse nuk duhet të dialogoni me Kryeministrin e vendit. O Zot, nuk është sot ditë për të kërkuar dialog, sot është ditë për t’u lutur për studentët, për t’u lutur që këta djaj me brirë të mos bëjnë më aq dëm, sa kanë bërë gjithë këto vite!
Kryetari i Komitetit Kombëtar të Turizmit, një i nxjerrë nga ato kallëpet e djathit kaçkavall si komunist e i kthyer në socialist, që çonte letra sekrete për të stimuluar prodhimin e bulmetit në hotel-turizëm dhe orientonte hotel-turizmin që t’i blinin produktet tek vëllai i vet në Përmet. Letër sekret! I kam dëshmitarët për këtë, i kam dëshmitarët kryeministra.
Më falni, ku jetojmë, në çfarë pike kemi arritur?!Në fund të vitit 2018 diskutojmë a duhet të flasim, apo nuk duhet të flasim! Dhe më e bukura me mua është që, kur unë dua të flas, jo thonë, ti nuk duhet të flasësh. E pse nuk duhet të flas? “Se na mbush mendjen”.
Kjo është një çmenduri - “se na e mbush mendjen”. Jo atyre, por studentëve. Mos flisni me atë, se do ju çorodisë, do ju gënjejë, do ju bëjë magji...
Ej, ne nuk kemi ardhur këtu të tallemi. Ne s’kemi ardhur këtu, as të bëjmë sikur. Sudja thoshte, “sot, të gjitha”. E mbani mend se çfarë ju tha në fund? “Ishte loja”. “Sudja” tjetër, doktoresha e shkencave, thotë, “sot të gjitha”. Por ajo nuk thotë, “ishte loja”, thotë “loja vazhdon”.Kurse ne themi “sot për të ardhmen”, sepse kjo lojë duhet të mbarojë!
Për Ramën, kjo nuk është betejë për vota, por për t’i fituar zemrën studentëve dhe për të kuruar plagët e hapura të Universitetit.
Edi Rama: Ata që kanë kujtuar dhe kanë bërë çmos që gjithë atë situatë aspak të këndshme të studentëve ta kthejnë në një zjarr për të nxjerrë gështenjat për pushtetin e tyre do të humbasin këtë radhë më keq seç humbën në 2017-ën dhe më keq seç kanë humbur në çdo zgjedhje. Këtë radhë, kjo nuk është me vota. Këtë radhë nuk mund të thonë, “i bletë votat”.
Këtë radhë është kush fiton zemrat e studentëve. Zemrat e studentëve janë aty, për të qenë pjesë e gjakut dhe pjesë e mënyrës së funksionimit të mëtejshëm të kësaj shumice dhe të kësaj qeverie që duhet të nxjerrë reflektime të mëdha dhe duhet të bëjë ndryshime të mëdha në mënyrën se si i qaset problemeve, falë kësaj shuplake që ka marrë.
Dialogu sipas kryemisnitrit do të përcaktojë marrjen e përgjegjësive për cdokënd për zbatimin e plotësimit të pikave të kërkuara nga studentët.
LIVE/ Studentët tek Kuvendi: Nuk lëvizim që aty! Ne nuk kemi frikë!
