Vrasja e 45-vjeçarit Martin Ndreca (në foto) mbrëmjen e së dielës në Durrës, nuk ka ndodhur për çështje nderi por për motive krejtësisht banale. Kështu shprehen familjaret e viktimës të cilët thonë se në momentin e ngjarjes në makinë ka qenë dhe djali 10-vjeçar i Martin Ndrecës, i cili ka shpëtuar për mrekulli.

Vëllai i viktimës Arben Ndreca thotë se e kemi patur të njohur viktimën, por nuk kemi patur ndonjë afrimitet me të.

"Ne e kemi pasur të njohur Ndue Zefin, por nuk është se kemi patur ndonjë afrimitet me të. Kemi qenë afër me shtëpi në Adriatik të Kurbinit. Banesat kishin një distancë prej 100 metrash me njëra tjeren" thotë Ndreca

Sipas tij viktima dhe autori kanë qenë në të njejtin lokal natën kur ndodhi ngjarja, por në tavolina të ndara.

"Vëllai im atë natë ka qenë në të njejtin lokal me viktimen në Durrës, por jo në të njëjtën tavolinë siç është thënë në media. Martini ka qenë bashkë me djalin e tij 10-vjeçar dhe me ca përsona të tjere. Në një moment autori i ka thënë Martinit pse më shikon dhe e ka ofenduar. Sipas dëshmitarëve aty kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe më pas autori është larguar. Martini ka qëndruar dhe 20 minuta në lokal dhe më pas ka marrë makinën dhe është larguar bashkë me djalin për të shkuar në shtëpi. Pak metra pa arritur tek banesa autori i ka dalë para dhe i ka bllokuar rrugën me automjetin e tij. Martini ka zbritur dhe sipas djalit që ka qenë me të janë konfliktuar me njëri tjeterin. Pas konfliktit vëllai është nisur për të ikur, ndërsa autori ka shkuar tek makina dhe ka marrë armën. Ka qëlluar me 5 plumba në drejtim të makinës dhe dy prej tyre i kanë prekur organet jetësore, duke i shkaktuar vdekjen.

Djali ka qenë në sendiljen e përparma të makinës së bashku me të atin. Kur është qëlluar ai ka ulur kokën dhe fatmirësisht ka shpëtur për mrekulli. Sipas asaj çfarë ka thënë djali pasi ka qëlluar autori është afruar tek makina dhe pasi e ka parë që Martini kishte vdekur është larguar me shpejtësi. Në ato momente djali ka njoftuar nënën e tij dhe më pas policinë" tregon Ndreca

Familjaret janë të bindur se vrasja nuk ka ndodhur për çështje nderi, ndërsa kërkojnë që auori të marrë ndëshkimin e duhur për këtë krim të kryer.

"Nuk është aspak e vërtetë që krimi të ketë ndodhur për çështje nderi. Vëllai ka jetuar jashtë shtetit prej shumë vitesh dhe në Shqipëri vinte vetëm për pushime. Ai nuk ka patur fare afrimitet me Ndue Zefin dhe pretendimet e atij se e ka kryer krimin për çështje nderi nuk ekzistojnë dhe atë e ka thënë  vetëm për të mbrojtur veten dhe për të patur lehtësira. Ngjarja na ka tronditur shumë si familje dhe kërkoj që ai të marrë dënimin që i takon" shprehet Arben Ndreca

Martin Ndreca me origjinë nga Mirdita u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielen në Durrës, ndërsa autori Ndue Zefi u dorëzua në polici 2 ditë pas ngjarjes.


/Ora News.tv/