Në fillim të shtatorit Shkodra u zgjua në rrethimin e forcave RENEA dhe ato Speciale. Pas aksionit u deklarua ndalimi i katër personave, si dhe sekuestrimi i mjeteve të blinduara dhe armëve. por aksioni duket se ka qenë vetëm fillimi. Mbrëmjen e së premtes, Specialët kanë realizuar një tjetër operacion rrufe duke ndaluar dhe 5 persona të tjerë, mes të cilëve dhe Safet Bajrin të kërkuar nga Belgjika. Aksioni është realizuar njëkohësisht dhe në Holandë, ku kanë rënë në pranga dy persona të tjerë. Në deklaratën për mediat, prokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela dhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu theksuan se qëllimi ishte shkatërrimi i grupit "Bajri".Në kërkim u shpallën 2 anëtarë të këtij grupi kriminal. Hetimet kanë zgjatur rreth 6 muaj.

Shkatërrohet grupi kriminal "Bajri", një nga grupet kriminale më të rrezikshëm në veri të vendit", e cilësoi ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj përmes një postimi në Twitter.

Njëmbëdhjetë persona u arrestuan në kuadër të hetimit 6 mujor me dhjetra orë përgjime mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, apo vëzhgimeve dhe me dron. Dy të tjerë u shpallën në kërkim. 

Mes të  arrestuarve është dhe Safet Bajri, pjesëtarë të fisit të tij, Bajri si dhe ish-kampioni i boksit me Vllazninë dhe ish kandidat i PD-së për deputet në Shkodër, Armir Grimaj.

Paraditen e 22 shtatorit (ora 10:00) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu sëbashku me  Drejtuesen e Prokurorisë së  Krimeve të Rënda Donika Prela dolën në një konferencë për median për të dhënë detaje lidhur me arrestimet e anëtarëve të grupit kriminal "Bajri" dhe operacionit të koduar "Oaz"

Emrat e te arrestuarve

1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;

2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;

3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;

7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;

8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;

9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;

10.Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;

11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Dy ne kerkim

Në kërkim u shpallën 2 anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët Gjykata ka dhënë masën e sigurisë "Arrest me burg", për shtetasit: E.B., 45 vjeç, dhe N.H., 34 vjeç.

Ku u kryen arrestimet?-  Operacioni policor u zhvillua njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (22 shtator) . 

Behar Brajoviq (Bajri) dhe Samet Halluni u arrestuan në Roterdam, Holandë. 6 persona të tjerë, mes tyre dhe Safet Bajri u arrestuan gjatë operacionit të djeshëm ndërsa tre të tjerë u arrestuan në kuadër të operacionit të ndërmarrë më 6 shtator 2018.   

"Ndërhyrja operacionale është koordinuar mes grupeve të posaçme hetimore, në të dy shtetet duke shkëmbyer informacion intensiv. Gjithashtu u ngritën dhe operuan në 2 vendet, grupe të përbashkëta operacionale, të mbështetura nga forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe atyre holandeze. Gjatë ditëve të operacionit për identifikimin dhe arrestimin e disa prej personave të mësipërm janë shkëmbyer me dhjetëra informacione, jo vetëm mes Policisë së këtyre 2 shteteve, por edhe autoriteteve ligj zbatuese që asistojnë Prokurorinë dhe Policinë, në Gjermani, Kroaci etj" deklaroi drejtori i policise Ardi Veliu. 

Dhjetra ore pergjime - Veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal "Bajri" kanë zgjatur mbi 6 muaj. Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv. Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë.

Vrane dhe kanosen per dhenie parash -

Ardi Veliu: "Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash."

Trafik droge - Gjithashtu  "Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër. Grupi "Bajri", në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit" vijon deklarata e drejtorit te policise.


Sekuestrohet resorti në Velipojë - Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa. Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh.

Akuzat mbi grupin kriminal-  Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë", në bashkëpunim, "Vrasje me dashje", e kryer në bashkëpunim, "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", "Organizim i llotarive të palejuara", "Pastrim i produkteve të veprës penale" të kryer në bashkëpunim, "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë", kryer në bashkëpunim, "Përkrahje e autorit të krimit", 'Moskallëzim krimi", "Prodhim e shitje e lëndëve narkotike", vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj shkruante ne Twitter: Operacioni “Forca e Ligjit” goditje ndëshkuese njëkohësisht në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam (Holandë), me disa të arrestuar për një nga grupet kriminale më të rrezikshëm në veri të vendit. 





/Ora News.tv/