Ndryshon menuja në çerdhet e Tiranës: Shtohen ushqimet, futet dhe trahanaja
Buka me gjalpë, reçeli, sultjashi apo keku, nuk do të jenë më ushqimet e zakonshme në çerdhet publike të Tiranës. Specialistët e shëndetit kanë vlerësuar se menuja e çerdheve nuk përmbante të gjitha vlerat ushqyese për mirërritjen e fëmijëve, bazuar edhe në rekomandimet e OBSH. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ka vendosur të ndryshojnë menunë ushqimore për fëmijët nga 0-3 vjeç, duke përfshirë në të më shumë fruta dhe perime, ndërsa është hequr përdorimi i gjalpit për t'u zëvendësuar me vajin e ullirit. Drejtoresha e Qendrës së Edukimit dhe Mirërritjes së Fëmijëve, Zhaneta Beqiri, pohon se menuja e re do të garantojë një ushqyerje të shëndetshme dhe cilësore që plotëson nevojat për të gjithë fëmijët.
Zhaneta Beqiri: "Ka pasur ingridient në atë menu që nuk kanë qenë të shëndetshme, siç është çokokremi, grosha që përdorej edhe në muajt e verës apo sasia jo e duhur e karbohidrateve në krahasim me raportet e tjera proteina dhe yndyrna. Në këtë menu është kufizuar sasia e sheqerit dhe sasisa e kripës. Janë kufizuar yndyrnat e ngurta që merreshin nëpërmjet gjalpit dhe margarinës dhe janë zëvendësuar me yndyrna cilësore të vajit të ullirit. Menuja e re jo vetëm që plotëson nevojat sipas grupmoshave të fëmijëve për sasinë e duhur të kalorive dhe duke i ruajtur raportet proteina, karbohidrate dhe yndyrna, por është një menu e shëndetshme cilësore dhe e shumëllojshme"
Në menunë e re, trahanaja është futur si ushqim i ri në çerdhe, ndërsa janë shtuar drithërat, produktet e qumështit dhe veza.
Zhaneta Beqiri: "Është bërë kudjes për marrjen e mjaftueshme të fibrave dhe kjo nëpërmjet drithrave, është zëvendësuar buka e grurit me bukë integrale dhe me bukë thekre, është futur trahnaja si produkt i ri. Gjithashtu është bërë kudjes edhe te familja e legumeve duke e zgjeruar me groshën, qiqrat, thjerrëzat. Është rritur sasia e frutave dhe e perimeve. Janë futur produktet e qumështit, gjiza dhe kosi"
Prej dy ditësh në çerdhet e Tiranës, gatimet janë përgatitur me menunë e re. Guzhinieret thonë se tashmë ushqimet për fëmijët do të jenë më të pasura me vlera ushqyese.
Guzhiniere: "Supa për moshën 1-3 vjeç është me zarzavate, oriz, mishin e grirë, selino, majdanoz, spinaq, karrota me vezë dhe vajin e ullirit që është shumë i mirë, ekstra i virgjër. Çdo gjë na ka ardhur cilësore"
Menutë e çerdheve janë bërë 6-mujore, për të përdorur frutat dhe perimet e stinës.
