Në aktivitetin e shoqërisë civile për të drejtat e komunitetit LGBT, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, shprehu qëndrimin e saj se pse është pro martesave gay. 

Duke iu referuar një episodi me një gazetare para nisjes së takimit,  Ballanca tha se nuk beson tek përceptimi se i gjithë populli shqiptar është kundër këtyre martesave.

Ballanca: Sot ndërsa hyja në këtë sallë pata një mikrofon që mu vu në një mënyrë jo shumë elegante para fytyrës dhe pyetja që mu bë ishte e tillë: Ndërkohë që gjithë populli shqiptar është kundër martesave gay pse ju mendoni se duhet të luftoni për to? Sigurisht që pavarësisht dhunës që ky mikrofon mu vu para fytyrës dhe pavarësisht çfarë do të mendojnë njerëzit mbi opinionin tim për këtë, përgjigjia ime ishte: Unë jam avokate e popullit dhe luftoj dhe për të drejtat e një individi të vetëm dhe gjithashtu nuk mendoj se gjithë populli shqiptar është kundër martesave gay.Opinioni ynë duhet të pranojë dhe të kuptojë se siç kemi ne të drejta ashtu kanë të drejta edhe njerëzit e tjerë dhe se ne mund të konsiderohemi të emancipuar vetëm nëse pranojmë edhe të drejtat e personave të ndryshëm.

Duke renditur progresin e bërë nga shteti shqiptar për garantimin  e të drejktave të këtij komuniteti, Ballanca tha se në luftën kundër padrejtësive nuk duhet të krijojmë një hit parade preferencash. 

Ballanca: Kemi arritur të ndryshojmë ligjin e punës në republikën e Shqipërisë, kemi punuar  për të rritur edukimin dhe emancipimin shoqëror përmes përfshirjes në kurrikulat shkollore të njohurive për komunitetin, së bashku do të arrijmë me këmbëngulje të përmirësojmë dhe sjellim drejtësi dhe në kodin e familjes. Në kodin penal dhe do të realizojmë sfidën për njohjen e identitetit gjinor. Shqipëria është një vend ku padrejtësia është kaq e përhapur sa ekziston iluzioni optik se padejtësia ndaj këtij komuniteti është më e tolerueshme dhe më e largët në rradhët e padrejtësive që presin të zgjidhen. Në fakt Shqipëria ka shumë probleme për të zgjidhur dhe ky është një nga problemet që duhet të zgjidhet me prioritet. Në luftën kundër padrejtësive nuk duhet të krijojmë një hit parade preferencash. Padrejtësia diku është padrejtësi e kudo ndodhur. Do të donim të shikonim në Kuvend dhe politikën shqiptare realitetin e vërtetë të popullit pa pasur nevojë për imponimin e kuotave që kanë dëshmi ekzistencën e një problemi. 

/Ora News.tv/