Lubonja kujton miqtë e pushkatuar nga komunizmi: Kokomani dhe Lezho akoma pa varr

Lubonja kujton miqtë e pushkatuar nga komunizmi: Kokomani dhe Lezho akoma

"Unë kisha dhe pak çaste për të qëndruar aty me Fadilin dhe Vangjelin".

Fatos Lubonja njihet si një figurë e ftohtë dhe racionale në publik dhe që nuk lëshon zemra por ai nuk e ka aspak të lehtë qoftë dhe për të lexuar ato që ka shkruar për ndarjen përgjithmonë nga jeta e dy miqve gazetarë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho ndërsa i çonin drejt pushkatimit në vitin 1978.

Lubonja: Sot përsëri për të rinjtë që janë këtu, duhet të dinë që eshtrat e këtyre njerëzve nuk janë gjetur akoma. Askush nuk bën përpjekje për të gjetur eshtrat e këtyre njerëzve.

Propjekti "Tirana lexon" që këtë vit ka në fokus letërsinë e kujtesës mbi epokën e komunizmit dhe përkujtimin e 45 vjetorit të revoltës së Spaçit, e ka risjellë më në fund  në vëmendjen e gjimnazistëve "Ridënimin" e Fatos Lubonjës gati 20 vjet pas botimit të parë, një nga librat më të rëndësishëm dokumentar për epokën në fjalë.

Lubonja: Që të mos ndihet vegël e një sistemi, vegël e një pushteti është shumë e rëndësishme që të ndërtosh personalitetin dhe një sistem, një regjim, një demokraci ku njeriu jeton i lirë.

Pikërisht aty ku nuk mund të mendohej, në burg, njerëz akoma të lirë gjejnë guximin të shprehin revoltën ndaj regjimit të Hoxhës. Fatos Lubonja e shikon veten në këtë kamp në valën e pasojave dhe masave që do të merren ndaj rebelëve.

Kokomani e Lezho i drejtohen me një letër Komitetit Qendror për shkarkimin e Enver Hoxhës dhe për hapjen e Shqipërisë me botën.

Ky moment i tyre tragjik, bashkë me ta edhe Xhelal Koprencka, rindërtohet me përpikmëri nga Lubonja.

“Ridënimi” është përkthyer në disa gjuhë, së fundi është në proces në gjuhën polake. Krahas tij “Tirana lexon për të kujtuar” u bëri jehonë dëshmive që Fatbardha Saraçi ka mbledhur nga gratë e burgosura e të internuara si dhe letërsisë dokumentare të Gëzim Peshkëpisë.


EMISIONET