Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka paraqitur me shqetësim tek partnerët ndërkombëtarë mungesën e ambienteve të punës për këtë institucion. Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, ka pritur në një takim përfaqësuesit e Byrosë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës. Ibrahimi u tha përfaqësuesve të projektit të Departamentit të Shtetit se mungesa e godinës pengon veprimtarinë e institucionit.

Mungesa e ambienteve të punës për Këshillin e Lartë të Prokurorisë paraqitet si shqetësim edhe tek partnerët ndërkombëtarë që asistojnë drejtësinë shqiptare.

Gjatë një takimi me përfaqësuesit e Byrosë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës, një projekt i Departamentit Amerikan të Shtetit, kreu i KLP-së Gent Ibrahimi ka ngritur si shqetësim faktin e se Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk ka ende një godinë,  gjë që sjell probleme në funksionimin e institucionit dhe zgjidhja duhet imediate në kushtet kur KLP ndodhet para fillimit të procesit të rekrutimit të administratës ndihmëse të saj.

Kryetari i KLP-së evidentoi faktin se Këshilli duhet të përballojë një punë voluminoze përsa i përket vlerësimit me rigorozitet dhe profesionalizëm të dosjeve të prokurorëve ekzistues aktualisht në sistem në kushtet kur KLP funksionon ende pa staf administrativ mbështetës, rekrutimi i të cilit pritet të zhvillohet në muajt në vijim.

Drejtoresha e projektit, Julie Craven, siguroi se projekti drejtuar prej saj do të ofrojë mbështetje financiare, asistencë juridike dhe programe trajnimi institucioneve të reja të drejtësisë deri në fazën finale të konstituimit dhe funksionimit me kapacitete të plota.

Nga krijimi në dhjetor 2018, KLP është detyruar ti zhvillojë mbledhjet në disa ambiente të ndryshme pa pasur një godinë dhe një adresë zyrtare për institucionin.    




/Ora News.tv/