I dha burrit të pastrehë biskota me pastë dhëmbësh, 20-vjeçari rrezikon burgun
Kanghua Ren, ndryshe i quajtur Reset që u bë i njohur nga videot në Youtube, ku del në rrugë për të bërë rrengje mund të përfundojë në burg.
Janarin e kaluar, 20-vjeçari filmoi momentin kur i dha biskota të lyera me pastë dhëmbësh një personi të pastrehë në Barcelonë. Pas kësaj deklaroi se ishte një rreng për ta bërë që të lajë dhëmbët.
Sipas The Telegraph, ReSet tha: “Ndoshta kam kaluar kufirin, por shikoni anën pozitive. Kjo mund ta ndihmojë të lajë dhëmbët. Mendoj se ai nuk i ka larë që kur është bërë i varfër.”
52-vjeçari i pastrehë, i quajtur Gheorge L tha se u sëmur pasi hëngri biskotat, të cilat i shkaktuan përzierje në stomak. Në një deklaratë për autoritetet, ka rrëfyer se i kanë ofruar 300 dollarë në këmbim të heshtjes.
Gazeta spanjolla El Pais ka njoftuar se ReSet ka fituar më shumë se 2 mijë dollarë nga video që mori shumë klikime para se të fshihej.
ReSet është në pritje të gjykimit, ku mund të dënohet për krim moral. Prokurorët kanë kërkuar dënim me dy vite burg dhe e kanë urdhëruar që të paguajë 30 mijë dollarë për Gheorge, por pritet vendimi i gjykatës.

