Ekskluzive në "Tempora", Albin Kurti fton shqiptarët në votimet e 6 tetorit: VV, fituese
Albin Kurti është i bindur se Vetëvendosje e ka rrugën e hapur dhe marshon e sigurt drejt 6 tetorit.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin "Tempora" në RTV Ora me gazetaren Sonila Meço, Kurti pret i qetë deri në shpalljen e rezultatit zgjedhor por ka këtë bindje:
"Do të jemi me siguri të parët, do të na nevojitet dhe dikush për partner".
Bindjen nuk e ka të mbështetur thjesht në përceptim, por statistika.
Albin Kurti: Sondazhet na nxjerrin të parët ne prej kur Mustafa është rizgjedhur kryetar për arsye se në atë kohën për shkak se fraksione të ndryshme brenda LDK besonin se njeriu i tyre do të bëhet. Tash na nxjerrin të parët.U bënë atëherë 12 parti bashkë që të na ndalin tani ato janë shkapërderdhur dhe ne e kemi rrugën hapur.Nuk janë më.
Për fushatën po kujdeset jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në Tiranë.
Albin Kurti: Po jemi të interesuar për të gjithë qytetarët nga Shqipëria që kanë edhe nështetësi të Kosovës, ose së paku njërin prind nga Kosova, ose kanë lindur vetë dhe nuk janë shtetas ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar me 6 tetor ku kjo situatë që e keni quajtur historike do të mund të bëhet e tillë me fitoren tonë.
Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet në Kosovë, shumë nuk e dinë. Besojnë se nëse nuk janë nënshtetas nuk e kanë të drejtë. Komisioni i Zgjedhjeve në Kosovë nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë për shkak se edhe na kanë penguar në amendimin e ligjit që do të mundësonte të votohej në Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës në botë.
Ata e dinë se çfarë mund të gjejnë në ato kuti votimi.Edhe në Shqipëri ka shumë shqiptarë që vinë nga Kosova, pse jo të mos vinë të votojnë. 1/3 e popullsisë së Kosovës nuk janë më banorë të Kosovës për shkak se kanë emigruar për arsye politike dhe ekonomike në faza të ndryshme.
VV në Tiranë është ende një OJF dhe kjo është hera e parë që Kurti bën fushatë elektorale edhe në Shqipëri.
Albin Kurti: Mund të thuhet ashtu. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete shumë të ngjashme por e kanë kombin e njëjtë.Nuk ka kuptim që të kufizojmë veprimtarinë tonë vetëm me Republikën e Kosovës aq më tepër kur nuk jemi të kënaqur me nivelin e përkushtimit dhe përgjegjësisë së shtetit shqiptar sa u përket shqiptarëve jashtë territorit të Shqipërisë.
Kurti tregon vendimin e parë si Kryeministër: Do krijoj fondin sovran për Kosovën
Ekonomia duket se është një nga kartat kryesore të Vetëvendosjes për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Kreu i VV, Albin Kurti, për "Tempora" thotë se ka ardhur koha për të hapur një kapitull të ri për vendin.
Kurti: Kanë ndryshuar shumë gjëra në Kosovë, disa prej tyre për shkak të punës sonë, disa për shkak të mbrapshtive të pushtetit. Ne kemi ndryshuar për mirë dhe qytetarët na mbështesin si asnjëherë më parë.Në 2017 kemi dyfishuar votat tona, tani nuk kemi nevojë të dyfishohemi sërish për të fituar, mjafton të rritemi edhe një duzinë për qindje (12%) për të hapur një kapitull të ri jo më me emigrim të rinjve por punësim, jo me defiçit tregtar por zëvendësim të importeve me shtim të eksportit, jo më me korrupsion dhe nepotizëm në institucione por me qeverisje të mirë dhe shtet zhvillimor. Tashmë ka ardhur koha dhe të gjithë kemi ndryshuar për të mirë.
I njohur për qëndrimin e tij ekstrem opozitar, Kurti thotë se çdo kundërshtim është bërë nga një pozicion i caktuar.
Kurti: Çdo kundërshtim bëhet nga një pozicion i caktuar. Kur kemi bërë kundërshtimin e kemi bërë nga një pozitë e caktuar, nuk kemi dashur pazare me Serbinë por vetëvendosje për popullin e Kosovës.Kemi kundërshtuar privatizimin neoliberal të egër dhe abuziv.
I bindur te fitorja, Kurti e ka gati edhe planin qeveritar, madje edhe zbulon se cili do të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së tij.
Kurti: Një ndër vendimet e para që do të marrim është krijimi i fondit sovran për Republikën e Kosovës i cili ja merr ndërmarrjet publike qeverisë, nga 17 vetëm 3 operojnë pa humbje. Në anën tjetër ja merr Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndërmarrjet shoqërore. I vendos bashkë në këtë fond sovran, ndërpren privatizimin e egër dhe në vend të tij mund të shesim aksionet e këtyre ndërmarrjeve të ristrukturuara që kanë një kryeshef ekzekutiv, të marrim një vajzë ose djalë të re nga mërgata që ka përvojë në financat globale.Nuk mund ta bëjmë brenda natës, por brenda mandatit të parë me siguri.
Ky kryeshef të jetë i lidhur drejtëpërdrejtë me Kuvendin dhe ti japë llogari. Ky fond sovran i kombinuar me Bankën Zhvillimore të Kosovës do të na nxjerrë nga kriza ekonomike.Në Kosovë interesi në depozita është 1%, kreditë e kamatave 7%. Kemi 3.2 miliardë euro depozita, kursime të kosovarëve. 10 banka, nga të cilat 8 janë të huaja dhe 3 prej të cilave kontrollojnë 3/4 e kapitalit bankar japin vetëm 2.7 miliardë euro kredi. Prodhuesit tanë janë përtokë, kanë marrë kredi që janë si fajde me letra në bankat komerciale. Banka Zhvillimore është e domosdoshme për të lehësuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duke mos u rritur në Kosovë janë mikrondërmarrje.Duhet të dalim nga kurthi i mbijetesës për bizneset tona sepse nuk mund ti punësojmë të gjithë në zyra shteti.
Kreu i VV-së beson te zgjidhjet brenda Kosovës dhe jo jashtë saj.
Kurti: Padyshim. Ka një lloj ngjashmërie mes çlirimit politik dhe ekonomik. Nuk na vinë dot investimet e huaja në Kosovës përderisa ne nuk investojmë vetë paratë tona. 30 mijë biznese shqiptare janë në Gjermani. Nëse 1% e tyre vinë dhe investojnë në Kosovë do të kishim nga 10 biznese në komunë. Ata thonë se nuk e kemi hall fitimin sa e kemi sigurinë, për këtë nevojitet shteti i së drejtës. Luftimi korrupsionit në Kosovë është më i lehtë se në Malin e Zi. Në Kosovë korrupsioni nuk është kulturë, por është në sistem. Vjen prej lart-poshtë dhe jo prej poshtë-lart. Duhet të merremi së pari me korrupsionin e madh, atë që ka shumë zero pas.
Teksa flet për shtet të kapur dhe parti të korruptuara, Kurti tregon se ku ndryshon VV nga kundërshtarët e saj politik.
Kurti: Nuk jemi si ata. Dy probleme themelore janë në Kosovën e dobët si shtet. Prokurorët e dobët, e dyta prokurorimi i kriminalizuar. Duam ta çlirojmë gjyqësorin nga ekzekutivi, nuk është pushtet i tretë sepse është i kapur. Na nevojiten prokurorët që bëhen njerëzit më të famshëm në Kosovë. Me qeverinë tonë vullnetet e ndrydhura do të mund të çlirohen, qeveria ka rritur pushtetin dhe ka zvogëluar shtetin.
Po cilat janë garancitë që ofron Kurti për të qenë imun ndaj korrupsionit?
Kurti: Lëvizja jonë është shprehje e popullit të KosOvës që kurrë se ka lënë veten pa lëvizur. Nuk ka filluar me ne si VV dhe as nuk do të përfundojë me ne.
Kurti: Nuk kam përjashtuar askënd nga VV, 12 deputetët e larguar mbivlerësuan veten
Vetëvendosje është rritur elektoralisht ndër vite duke siguruar mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.
E megjithatë vetë si forcë politike është tkurrur ndjeshëm vitet e fundit me largimin e 12 deputetëve.
Kreu i kësaj force politike, Albin Kurti, preferon të hedhë vështrimin drejt sfidave të së ardhmes dhe jo nga e shkuara.
I ftuar në "Tempora", ai thotë se ish-deputetët e VV-së mbivlerësuan veten dhe nënçmuan këtë forcë politike të cilës i përkisnin.
Kurti: Nuk bëjnë as 2% në bazë të sondazheve dhe nuk guxuan të garojnë vetë sepse pragu është 5% dhe ndaj ju bashkuan partisë së ish-kryeministrit. Besoj se jemi forcuar sepse kur vinë të fortit forcohesh, por edhe kur ikin të dobëtit forcohesh. Jemi më të fuqishëm se kurrë më parë. Nuk kam përjashtuar askënd nga VV, mbivlerësuan veten, nënçmuan lëvizjen, bënë kalkulimin e gabuar. Nuk kam ndërmend të shikoj pas.VV nuk ka pasur asnjëherë pazare, me demokraci i marrim vendimet.
Deklarata te tjera
Albin Kurti në Tempora: Dëshiroj të bashkëpunoj me Ditmir Bushatin
Albin Kurti per koalicionin paszgjedhor: Preferojme LDK, por...
"I vetmi garancion në Kosovë që Partia Demokratike e Kosovës të mbetet në opozitë është fitorja e Lëvizjes VV, s'ka garancion tjetër. Natyrisht që ne e preferojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës, por duhet ta shohim se kush po fiton aty prej deputetëve."
Dështimi i koalicionit, Kurti: Kam qenë dorëlëshuar me LDK, ata nuk lëshuan pe
Albin Kurti tregon kush e pengoi koalicionin me LDK: Na e hodhën si fakt fytyrës!
