Dhunoi turistët spanjollë, arrestohet pronari i lokalit në Himarë
Dhunimi i një familjeje turistësh spanjollë nga pronari i një lokali në Himarë është një nga episodet e rënda të këtij sezoni ku jo vetëm u cënua jeta e turistëve që zgjedhin vendin tonë por edhe imazhin e Shqipërisë në sytë e të huajve.
Mihal Kokëdhima, pronar i një lokali në Porto Palermo të Himarës, fillimisht kanosi turistët spanjollë dhe më pas ka dëmtuar automjetin e tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëmtime në trup.
Shkak për këtë ngjarje të rëndë për turizmin shqiptar, sipas raportimeve ishte refuzimi që familja spanjolle i bëri shërbimit të keq.
Pesë turistët dhe dy shoqëruesit shqiptarë u larguan nga lokali, por sipas policisë u ndoqën dhe u dhunuan nga pronari i biznesit që i kishte ndjekur më pas. Më e dëmtuar mbeti një prej anëtarëve të familjes që kishte mbërritur me jaht në Sarandë.
Ata morën ndihmën e parë në spital dhe më pas janë larguar nga spitali, ndërsa kanë denoncuar dhe rrëfyer të gjithë ngjarjen në polici.
Mbi bazë të këtij denoncimi dhe provave, policia e Sarandës njoftoi se ka vënë në pranga pronarin e lokalit me tre akuza “Kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Grupi i turistëve spanjollë kishin mbërritur me Jaht dhe po vizitonin jugun e vendit, por pas incidentit ata nuk pranuan të prononcohen, ndërsa nuk dihet nësë vazhdojnë të qëndrojnë në brigjet e Shqipërisë.
Një ditë pas ngjarjes familjen e turistëve të huaj e takoi ministri i Turizmit Blendi Klosi u kërkoi ndjesë në emër të qeverisë shqiptare, Ai tha se ngjarje të tilla janë të papranueshme.
Blendi Klosi: "Ndjesë për ngjarjen. Besoj që ngjarje të tilla janë të pakta të mos ndodhi asnjëherë"
Familja spanjolle u shpreh se një person i vetëm nuk përfaqëson Shqiperine.

(Ne foto: Makina e demtuar e turisteve, dhe ambulanca qe transportoi ne spital familjen spanjolle)
