BOOM: Fshati që prej 8 vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm

Mungesa e ujit të pijshëm në Shqipëri është një problem që nuk gjen zgjidhje.

Emisioni BOOM ka udhëtuar në fshatin Adriatik të Divjakës, ku u njoh me shqetësimin e banorëve të cilët ankohen për mungesën e ujit.

Janë 35 familje që shprehin shqetësimin. Ata thonë se ujë ka, por shfrytëzohet për vaditje.

Denoncimi në BOOM

Banore 1: Fillon marsi, këtu ujë nuk ka, sepse hapen tubat dhe vaditet

Gazetarja: Uji mesa shoh është edhe i turbullt, si ja bëni për ta pirë?

Banore 1: Po ku pihet, ne po ta pimë këtë ne jemi bërë me veshka?

Gazetarja: Po si ja bëni?

Banore 1: Po për të pirë e bleme një bidon. Ja ku janë faturat, lekë të paguar rregullisht, nuk ka asnjë muaj pa paguar.

Gazetarja: Çfarë ju thonë të ujësjellësi, jeni interesuar të bashkia?

Banore 1: Pas votimi do vijë uji. Ku është uji?

Banor 1: Kishte 24 orë ujë, kurse sot ne nuk kemi 10 minuta ujë e kanë bërë tubin çarçaf.

Banore 2: Ne duam ujë, sepse njeriu me ujë rron.

Banor 2: Vatidin nëpër fshatra

Gazetarja: Sa familje jeni që vuani mungesën e ujit?

Banor 2: 35 familje janë të gjitha këtu.

Banore 3: Është trup në këtë kohë mos ketë ujë. Ujë ka, por vadisin

Gazetarja: Zoti Guri doja t’ju pyesja në fakt për ujin që nuk shkon në fshatin Adriatik, meqë jeni edhe kryetari i Njësisë Administrative Rremas?

Ëngjell Guri, kryetari i  Njësisë Administrative Rremas: Në fshatin Adriatik shkon uji. Dje ka patur ujë, sot nuk ka qenë i bollshëm. Uji një ditë shkon dhe një ditë nuk shkon, për shkak edhe të thatësirave, edhe për shkak se linja është shumë e gjatë. Nga fshati Gur deri në Adriatik janë 4 fshatra por që në vijë ajrore është shumë e gjatë.

Gazetarja: Banorët hedhin akuzat edhe për pjesën e ndërhyrjeve në rrjet. Sa e vërtetë është kjo?

Ëngjëll Guri, kryetari i  Njësisë Administrative Rremas: Është një pjesë e vërtetë. Ne kemi kërkuar ndërhyrjen e policisë së shtetit.

Gazetarja: Për çfarë?

Ëngjël Guri, kryetari i  Njësisë Administrative Rremas: Mendojmë ne që mund të ketë edhe lidhje të paligjshme. Unë për Adriatikun kam lënë 7 fshatra të tjerë dhe i kam lënë një ditë vetëm për Adriatikun, që shkon linja kryesore dhe ditën tjetër 7 fshatra që furnizohen. Që të kenë mjaftueshëm ujë për nevojat e tyre personale një ditë dhe ditën tjetër shkon jo i bollshëm, më pak

Gazetarja: Zgjidhja nga tani e tutje?

Ëngjël Guri, kryetari i  Njësisë Administrative Rremas: Ka filluar që dje zgjidhja dhe në vazhdim nuk do të ketë më problem sepse para 3-4 vjetësh atje jo që nuk shkonte uji, ujë ka pasur por ish-kryetari i mëparshëm bëri një paçavure të madhe me tubacionin që ne do të ndërhyjmë vitin tjetër. Kemi shpuar pusin lart, përpara dy muajsh sepse mos të kishim bërë pusin lart nuk do të kishte fare ujë.

Drejtori i Ujësjellësit

Ylli Stambulliu, drejtori i Ujësjellësit SH. A Divjakë: Kjo që thoni është e vërtetë. Ndonëse ne e kemi pas njohur si problem dikur, sot është problematik sidomos gjatë stinës së verës për shkak të ndërhyrjeve në linja besoj dhe abuzimit me ujin e pijshëm. Kemi gjetur shumë pak lidhje të paligjshme për hir të së vërtetës. Por për të përmirësuar ne kemi vënë në funksion para dy javësh një pus shpim të ri për të rimbushur depon më shpejt dhe për të rritur sasinë e ujit që shkon drejt kësaj zone. Kishim mendur të shtonim pompa që kishin kapacitet më të lartë, por ishte për shkak të prurjeve të puseve. E vetmja gjë ka mbetur është që të furnizojmë këtë fshat dhe për ti furnizuart të paktën një herë në dy ditë.

Gazetarja: Banorët thonë se nuk kanë ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet?

Ylli Stambulliu, drejtori i Ujësjellësit SH. A Divjakë: Nuk është se e përjashtoj këtë mundësi se ne kemi bërë aq kontrolle.

Gazetarja: Keni konstatuar?

Ylli Stambulliu, drejtori i Ujësjellësit SH. A Divjakë: Kemi konstatuar disa raste, një e kemi kapur dje që ishte kështu sic thoni ju.

Gazetarja: Çfarë masë keni marrë?

Ylli Stambulliu, drejtori i Ujësjellësit SH. A Divjakë: Ndërpremë lidhjen, nuk është se morëm masë ndaj atij, por do të shohim kur të kemi bërë kontrollin e të gjithë rrjetit të ujësjellësit.

Kryetari i bashkisë së Divjakës

Fredi Kokoneshi, kryetari i Bashkisë Divjakë: Bashkisë Divjakë iu desh të ndërhynte në mënyrë imediate për të ndërtuar një pus të ri, në këtë zonë me qëllim që banorëve ti ofronim ujin brenda atyre mundësive që do të duheshin. Kemi bërë ndërhyrjen duke ndërtuar këtë pus, por paralel me atë kemi filluar edhe prerjen e abuzimeve që bëhen në rrjetin shpërndarës. Ne nuk kemi një projekt që të na tregojë gjurmët ku kalon ky ujësjellës dhe kjo na ka krijuar probleme për të marrë masat me qëllim që të ofrojmë këtë shërbim. Falë ndërtimit të këtij pusit ne këmi përmirësuar ndjeshëm situatën në të gjithë njësinë me përjashtim të Adriatikut që është pjesa fundore e këtij ujësjellësi dhe kuptohet uji nuk i shkon cdo ditë, por një herë në dy ditë. Ne do të marrim masa për ta shtuar kapacitetin e ujit. Në duhet të ndërtojmë edhe një pus tjetër. Ne do të marrim masa që ti furnizojmë pa pagesë me bote uji. Cilido që do të kapet me abuzime me ujin do të çohet në ndjekje penale. Ne duhet të dime se ku është abuzimi. Në kohën kur është ndërtuar ujësjellësi qytetarët kanë marrë edhe nga dy linja, një e përdorin me sahat, tjetrën për vaditje. Unë do të marr masa të forta për ta cuar në fund këtë problem të ndjeshëm dhe radikal.

EMISIONET