E bujshme/ Në pranga Klement Balili, i ashtuquajturi "Eskobari i Ballkanit"
Pas më shumë se dy vite, në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar për trafik droge, Klement Balili, është i prangosur
Plot 15 operacioni kanë dështuar për arrestimin e të cilësuarit nga mediat greke si ‘Eksobari i Ballkanit’.
"Nga sot drejtësia shqiptare merr në duart e saj një prej personave më të kërkuar të saj dhe jo vetëm" deklaroi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një konferencë për median mesditën e sotme nga ministria e Brendshme.
Ndërkohë mëngjesin e së martës, 15 janar, Klement Balili u vetëdorëzua në polici pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu si dhe nipi i tij, i cili mban dhe postin e kryetarit të bashkisë Delvinë, Rigels Balili.
Vetë kreu i policisë Ardi Veliu shkoi në Delvinë për të ekzekutuar masën e sigurisë 'arrest me burg" dhënë nga gjykata. Ndërkohë në mesditë Balili u transferua në Tiranë i shoqëruar nga drejtues të lartë të policisë së shtetit dhe eskortë me policë civilë.
Fillimisht u bë ndalesë tek Komisariati nr 6, Tiranë, ku qëndroi për 30 minuta më pas u vendos në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës.
Avokati Theodhori Sollaku tha se zgjodhi momentin kur nga Greqia mberriti letërporosia.
Theodhori Sollaku: "Nga momenti i daljes së urdhërarrestit, megjithëse nuk ka pasur asnjë provë përsëri trysnia ka qenë e madhe për të arrestuar. Ndërkohë prokuroria dy vjet më parë kërkoi prova nga autoritetet greke, sepse dosja nuk ka pasur prova megjithëse kishte urdhërarrest. Tani që erdhi letërporosia e plotësuar me aktet proceduriale dhe hetimet janë drejt përfundimit shtetasi Klement Balili vendosi të dorëzohej "
Nesër në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të hidhet shorti për gjyqtarin i cili do të kryejë veprimet paraprake për dosjen e Klement Balilit. Brenda 72 orësh në këtë gjykatë ai do njihet me masën e sigurisë si dhe me provat e dosjes.
Ora 14:19 Avokati tregon pse Klement Balili vendosi të dorëzohej sot
Ora 13: 27 Ardi Veliu: Arrestimi i Balilit permes negociatave
Vetë drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka sjellë Klement Balilin nga Delvina drejt Tiranës. Me ta ishte dhe avokati i tij Theodhori Sollaku.
Balili është dërguar drejt policisë së Tiranës. I pyetur nga Ora News Veliu tha se: Arrestimi i tij u bë përmes negociatave.
Ora 12: 56 Klement Balili ndodhet ne ambientet e Komisariatit nr 6, ne Kombinat
Ora 12:00 Vetëdorëzimi
Ministri i Brendshem konfirmon se Klement Balili është dorëzuar por kjo ka ardhur si rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë të ndërlikuar në bashkëpunim me partnerë të Shqipërisë.
"Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë. Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e operacioneve të tilla për ndalimin e personave të këtij karakteri, besoj do të jetë e qartë që kurrë nuk mund të ketë një dorëzim vullnetar të një personi të kriminalizuar në këtë nivel drejt stacioneve të policisë. Procesi është rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë, të ndërlikuar, në bashkëpunim dhe me partnerë të Shqipërisë, të cilët kanë mundësuar që personi në fjalë të dorëzohet në Policinë e Shtetit.
Ne kembim?
I rezervuar per tiu pergjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me operacionin, ministri i Brendshem tha vetëm se si këmbim për dorëzimin ishte ofruar një proces i rregullt ligjor.
Pyetje: Çfarë keni negociuar me të?
Ministri Lleshaj: Detaje operacionale nuk mund t’ju jap.
Pyetje: Çfarë sigurie i ofruat atij që u vetëdorëzua?
Ministri Lleshaj: Sigurinë e një procesi të drejtë ligjor.
Pyetje: Që do të thotë?
Ministri Lleshaj: Një proces i drejtë ligjor. Faleminderit!
Meta: Nderkombetaret bene presion
Per presidentin Meta, prangosja e Klement Balilit ka ardhur dhe si rezultat i presionit të gjithanshëm të ndërkombëtarëve.
"Përshëndes ndalimin e Klemend Balilit, një person me probleme mjaft serioze me ligjin. Në këtë rast dua të falenderoj jo vetëm agjensitë ligjzbatuese por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot" u shpreh Meta ne nje prononcim per median nga qyteti i Lezhes.
Falenderimi per policine dhe SHISH
Kryeministri Rama permes Twitterit pergezon ministrin Lleshaj, policine dhe SHISH
"Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara. Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH"
Rama shton se Balili vetedorezimi eshte rezultat i nje nga operacionet më të sofistikuara policore
"Hahaha çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur KB u ndal tek dera e policisë pas një shëtitje në pedonalen e Delvinës. Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij."
Berisha dha lajmin i pari
Ishte ish kryeministri Sali Berisha që përmes një postimi në facebook njoftoi vetëdorëzimin e Klement Balilit. Në adresë të Berishes kishte mbërritur një mesazh nga qytetari dixhital, i cili informonte se Balili ishte nisur për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa thuhet se shoqërohet nga nipi i tij, Rigels Balili.
Kush eshte Klement Balili? - Klement Balili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge është cilësuar nga mediat greke si ‘Eksobari i Ballkanit’. Prej muajit maj të 2016 Klemend Balili, është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Athinës, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Balili arriti t’i shpëtonte prangave, ndërsa kishte dyshime të forta se operacionet janë dekonspiruar nga njerëz që bashkëpunonin me trafikantin e kërkuar edhe nga DEA amerikane.
Lexo me shume: Hotel luksoz dhe 36 apartamente, pasuritë që iu sekuestruan Klement Balilit

