Përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore në 53 KZAZ nga 90 gjithsej
Tirane- Të 90 KZAZ-të po shpërndajnë materialet zgjedhore drejt 5417 Qendrave të Votimit në të gjithë Shqipërinë. Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka përfunduar nga 53 KZAZ, ndërkohë të gjithë KZAZ-të e tjera janë drejt përfundimit të këtij procesi. Përjashtim bën KZAZ numër 6 në Vaun e Dejës, tha zëdhënësja e KQZ-së, ku për shkaqe tashmë të njohura, materialet zgjedhore u ridërguan në orët e para të ditës së sotme çka diktoi vonesën në nisjen e procesit të shpërndarjes së bazës materiale për 53 qendra të votimit të kësaj KZAZ-je.
RTV Ora po ndjek minutë pas minute përgatitjen për votimet në gjithë vendin
Ora 22:11 Pas shpërndarjes së materialeve zgjedhore policia merr në ruajtje Qendrat e Votimit
Ora 21:48 Ndalohet një biznesmen në Dibër
Policia e Dibrës ka ndaluar një biznesmen në lokalin e tij. Bëhet fjalë për shtetasin Bilbil Gjura, i cili dyshohet si i përfshirë në përplasjen me forcat speciale në orët e para të mëngjesit.
Ndalimi i biznesmenit është bërë në qendër të qytetit, duke terrorizuar të gjithë klientet që ndodheshin në lokal.
21:43 Policia e Qarkut Tiranë mori në ruajtje të gjitha qëndrat e votimit.
Ora 21:14 Në Shkodër disa qendra votimi po zhvendosen tek institucionet që ka mazhoranca në varësi, si tatimet, zyra e punës, shërbimit social etj.
Ora 21:00 Hapet me forcë shkolla “Pashko Vasa” në Shkodër.
Ora 20: 57 Në Pogradec janë hapur të gjitha shkollat dhe kopshtet pa incidente.
Ora 20:41 Kryebashkiaku i Kukësit: Qytetarinë nuk na e marrin dot peng as me kuti, as me babëzi
Kryetari i bashkisë së djathtë të Kukësit, Bashkim Shehu ka bërë një reagim, disa orë para nisjes së procesit së votimit. Në një status në Facebook, ai thotë se “qytetarinë nuk na e marrin dot peng as me kuti, as me babezi”.
Sipas Shehut nuk ka asnjë arsye për konflikt, per votime që siç thotë ai nuk kane asnje peshe ne demokraci.
Ora 20:34 Mbërrijnë materialet zgjedhore në KZAZ nr 6 në Vaun e Dejës.
Ora 20:32 Hapet qendra e votimit që kishte mbyllur bashkia e Pogradecit.
Ora 20:30 Hapet me forcë dera e shkollës 9 -vjeçare "Ali Laçej"në Shkodër.
Ora 20:29 Materialet zgjedhore mbërrijnë edhe te shkolla "Ndoc Mazi" në Shkodër.
Ora 20:19 Materialet zgjedhore kanë mbërritur pranë Pallatit të Kulturës në Pogradec, të shoqëruar nga forca policie. KZAZ-ja ka njoftuar se do të hapet së shpejti kjo qendër.
Ora 20:12 KZAZ-ja në Vaun e Dejës zhvendoset në një lokal dasmash
Gazetari Elio Laze raporton se KZAZ - ja që u dogj në Vaun e Dejës është vendosur në një lokal dasmash të zonës.Dy ditë më parë KZAZ 6 u dogj nga persona të paidentifikuar. Qeveria e akuzoi opozitën, ndërsa kjo e fundit tha se djegia ishte skenar i Edi Ramës.
Ora 20:10 Përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore në 9 nga 10 KZAZ-të e qarkut të Vlorës. Raportohet se vetëm në KZAZ nr. 89 të bashkisë Finiq kanë mbetur për tu tërhequr edhe 15 kuti nga 54 gjithësej.
Ora 20:00 Në KZAZ Kukës ka përfunduar shpërndarja e gjithë materialeve zgjedhore për në Qendrat e Votimit.
Ora 19:49 Rihapen 23 shkollat në Mallakastër, në fshatin Graçie tërhiqen komisionerët
Në Mallakastër janë rihapur 23 shkollat e mbyllura, duke u shpërndarë edhe materialet zgjedhore në të gjitha qendrat. Gazetarja Nertila Dosti raporton se vetem në fshatin Graçie janë tërhequr komisionerët dhe nuk janë shperndarë materialet zgjedhore.
Ora 19:24 Përfaqësues të OSBE/ODIHR ndjekin nga afër situatën në Shkodër
Ora 19:14 Vijon dorëzimi i materialeve zgjedhore në KZAZ 67 në Pogradec
Ora 19:00 Denoncimi i drejtorit: Shkollës “Pashko Vasa” në Shkodër i është ndërruar brava
Drejtori i Shkollës “Pashko Vasa” në Shkodër ka denoncuar ndërrimin e bravës të derës hyrëse të këtij institucioni. Për RTV Ora, drejtori i shkollës. Zt.Dritan Gega tha se persona të paidentifikuar kanë ndërruar bravën e shkollës.
Ora 18:58 Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në Qendrat e Votimit në Vlorë
Ora 18:52 KQZ apel kryebashkiakes së Shkodrës për bashkëpunim: Liro qendrat e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, të bashkëpunojë dhe të lirojë qendrat e votimet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Zëdhënësja për mediat e KQZ, Drilona Hoxhaj, i kujtoi Ademit nenet në kodin penal që e konsiderojnë këtë lloj pengese vepër penale.
Ora 18:41 Shkodër, hapet me forcë dera e shkollës “Edit Durham”
Ora 18:31 Nuk hapet dera e shkollës "Jordan Misja"
Materialet zgjedhore kthehen mbrapsht nga shkolla "Jordan Misja", pasi nuk u bë e mundur hapja e derës së shkollës. Materialet zgjedhore do të transferohen në një vend tjetër.
Ora 18:12 Shpërndarja e materialeve zgjedhore edhe në Kukës
Në KZAZ nr 11 në Kukës vijon shpërndarja e materialeve zgjedhore, për në qendrat e votimit. Procesi i shpërndarjes së materialeve është drejt fundit. Me heret janë shpërndarë në zonat dhe fshatrat përreth, ndërsa tani po shpërndahen në zonën e qytetit. Në Kukës ka 1 KZAZ dhe 88 qendra votimi. Votues në këtë qark janë 44 962 votues. Shpërndarja e materialeve është kryer pa probleme nëpër qendrat e votimit.
Ora 17:52 Kërkohet hapja e derës së shkollës "Jordan Misja" në Shkodër
Në KZAZ nr 4, shkolla "Jordan Misja" në Shkodër kanë mbërritur materialet zgjedhore nga KQZ. Dera e shkollës është e mbyllur dhe pritet hapja me forcë. Në shkollë ka mbërritur dhe policia e shtetit.
Roja i shkollës nuk ka çelësin e zinxhirit. Policia po raporton dhe kërkon informacion si do të procedohet.
Bashkia Shkodër nuk ka asnjë vendim që i është paraqitur zyrtarisht, pavarësisht paligjshmërisë.
Ora 17:50 Mbyllet pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore në Elbasan
Ështe mbyllur pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ në qendrat e votimit në qarkun e Elbasanit. Në total ne Elbasan janë 10 KZAZ. 4 prej tyre i takojne bashkise Elbasan përkatësisht ato me nr 47, 48, 49 dhe 50 dhe 6 të tjera i takojne bashkive Prrenjas, Librazhd, Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Peqin. Në total numri i votuesve në qarkun e Elbasanit është 343 258 votues të cilët do të votojnë në 2800 qendra votimi. Ndërkohë vetëm në bashkinë Elbasan numërohen 166.538 zgjedhës dhe 235 qendra votimi.

17:48 Shpërndahen materialet zgjedhore në Fier
Në bashkitë Fier, Patos, Roskovec dhe Ballsh, perfundon procesi i shpërndarjes se materialeve zgjedhore nga të 5 KZAZ- t në drejtim të Qendrave të Votimit. Procesi nuk ka shënuar asnjë problematike. Ka qenë i qetë dhe normal. Policia e Shtetit është në gatishmëri për garantimin e procesit zgjedhor, rendit dhe qetësisë.
Ora 17:26 Pas tensioneve dhe përplasjeve të një dite më parë, në orët e pasdites së sotme ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ numër 19 në Dibër. Sipas kryetarit të KZAZ-së 19, Agron Cara, çdo gjë ka kaluar sipas rregullave. Aktualisht vetëm Peshkopia dhe njësia administrative Tomin janë pa materiale zgjedhore, por sipas Carës procesi do të mbyllet brenda 2 orësh.
Ora 17:11 Thyhet urdhri i Ademit, nis hapja e shkollave në Shkodër për zgjedhjet
Ora 17:05 Përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha Qendrat e Votimit të bashkisë së Devollit. Procesi ka qenë normal dhe pa incidente.
Rreth orës 16:21, në Shkodër ka vijuar shpërndarja e materialeve zgjedhore nga shkolla profesionale “Arben Broci”.
Në Gjirokastër, rreth orës 16:00 janë shpërndarë materialet zgjedhore në KZAZ 78. Sipas kreut të KZAZ, Roland Skendo asnjë qendër deri me tani nuk ka njoftuar per bojkot.
Bashkitë e djathta kyçin shkollat, në bashkitë e majta ndahen materialet zgjedhore
Bashkitë e Shkodrës, Mallakastrës dhe Pogradecit mbyllën shkollat e kopshtet e përcaktuara si qendra votimi për 30 qershorin, në vijimësi të qëndrimit se ata do të zbatojnë dekretin e presidentit që e ka anuluar procesin. Por këto veprime u kushtoi arrestimin 4 punonjësve të bashkive Pogradec e Mallakastër, ndërsa nënkryetari i kësaj njësie vendore u shpall në kërkim. Ndërkohë në bashkitë e majta nisi shpërndarja e materialit zgjedhor.
Në Mallakastër, nënkryetari i Bashkisë Haredin Serjani është shpallur në kërkim, ndërsa dy punonjës të njësisë vendore dhe roja i një shkolle janë arrestuar.
Bashkë me Dervish Dervishaj, Erjon Isufaj, dhe Nimet Kapaj, Ai akuzohet se ka mbyllur 2 shkolla në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë.
Ne Pogradec- Me të njejtën akuzë në pranga u vunë edhe dy punonës të Arsimit të Bashkisë të cilët mbyllën katër shkolla të përcaktuara për qendra Votimi.
Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të punonjësve që sipas tij bënë vetëm detyrën, kryebashkiaku i Pogradecit u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të shmangin situatat konfliktuale
Ne Shkoder - Të kycura me zinxhirë këtë të shtunë ishin edhe shumica e institucioneve nën varësinë e Bashkisë e cila më herët ka deklaruar se nuk do të ofrojë asnjë ambient për procesin që e cilëson të paligjshëm pas dekretit të presidentit.
Ne bashkite e majta- Nga ana tjetër, në bashkitë e drejtuar nga të Majtët që në orët e mesditës nisi procesi i shpërndarjes së bazës materiale zgjedhore nga KZAZ-të drejt Qendrave të Votimit që do të hapen të dielën në orën 07:00 të mëngjesit.
Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore u ndoq edhe nga vëzhgues të OSBE dhe organizmave të tjerë të angazhuar në monitorimin e votimeve të 30 qershorit.
Në Korçë - Nis shpërndarja e materialeve të zgjedhjore në KZAZ-në numër 74. Procesi vijon normalisht.
Në Sarandë - Ka nisur shpërndarja e materialeve të zgjedhore në KZAZ-në numër 88 për 51 qendra votimi.
