Anulohet dënimi përjetë për Dritan Dajtin, vrau 4 policë

Anulohet dënimi përjetë për Dritan Dajtin, vrau 4

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka shpëtuar nga “burgimi i përjetshëm” Dritan Dajtin, i dënuar për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në muajin gusht të vitit 2009. 

I pandehuri u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani.

Sot Gjykata e Apelit vendosi që ai përfiton uljen e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar, duke i dhënë mundësinë të kryej vetëm 25 vjet burg

Vendimi është shpallur të premten (8 shkurt) në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda pas një serie seancash të shtyra në gjykatë për mosformim të trupit gjykues.

Pesëshja e gjyqtarëve që i hoqi burgimin e përjetshëm Dajtit ishte e deleguar, tre nga Gjykata e Apelit e Shkodrës dhe dy nga gjykata e Apelit e Vlorës.

Nga Apeli i Shkodrës ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Kjo ishte hera e dytë që dosja e Dritan Dajtit shqyrtohej në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv policie.

Vrasja - Ngjarja për të cilën akuzohet Dritan Dajti ka ndodhur ne 7 gusht 2009 rreth orës 13:50, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria” janë vrarë me armë zjarri katër punonjësit e policisë, shtetasi Ledion Mara, si dhe janë plagosur po me armë zjarri shtetasit Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku.

Para përplasjes me armë, policia mori informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, Dritan Dajti. Ai hetohej dhe për aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe policia ka organizuar operacionin për kapjen e tij.

Por sapo efektivët janë afruar, janë përballur me të shtënat e Dritan Dajtit. Ky i fundit ka pretenduar në gjykatë se nuk i ka njohur që ishin efektive pasi nuk ishin veshur me uniformë policie gjë që u kundërshtua nga efektivët e thirrur në gjykatë.

Seancat gjyqesore- Dajti u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje dhe i pafajshëm për vrasjen e Ledion Marës, në bazë të dëshmive të 22 efektivëve që morën pjesë në aksionin për arrestimin e tij në gusht 2009. Por ky vendim u rikthye sërish për gjykim nga Gjykata e Lartë për shkelje proceduriale dhe në mungesë të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të rënda, të cilët ishin konsumuar, KLD delegoi gjashtë gjyqtarë nga Gjykatat e Apeleve të Rretheve.

Seancat e tij kanë shënuar rekord shtyrjesh në gjykatë për mungesë të avokatëve që kanë refuzuar ta mbrojnë.


EMISIONET