Ambasada e SHBA me mesazh për protestuesit dhe policinë: Refuzoni dhunën
Para nisjes së protestës së opozitës para Kuvendit, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka dalë me një mesazh për qytetarët që do të bëhen pjesë e saj që të vetëpërmbahen dhe të shmangin aktet e dhunës.
Në një postim në faqen zyrtare në fb, Ambasada e SHBA shkruan:
"Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur".
Ndërkohë dje, si para çdo proteste, Ambasada amerikane në Tiranë lëshoi një njoftim për qytetarët e saj që të jenë të kujdesshëm dhe të qëndrojnë larg turmave.
Sipas deklaratës, pikat ku do të ketë grumbullime të njerëzve janë zona e Zogut të Zi, zona e Qytetit Studenti.
Stadiumi "Selman Stërmasi" dhe Rruga "George W. Bush", para Parlamentit Shqiptar, ku edhe është parashikuar zhvillimi i protestës.
"Grupi ka për qëllim të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare. Kohëzgjatja e demonstratës është e panjohur dhe është e mundur që demonstruesit të marshojnë në vende të reja gjatë protestës së tyre. Potenciali për dhunë ekziston. Një demonstrim i ngjashëm më 16 shkurt 2019, u bë i dhunshëm dhe rezultoi me plagosje të shumta për demonstruesit dhe policinë", thuhet në deklaratë.
Personeli i Ambasadës së SHBA-së u kërkon qytetarëve amerikanë që të shmangin protestën.
Gjithashtu, thuhet se më 21 shkurt 2019, nga ora 8:30 deri në orën 10:45, hyrja dhe dalja nga Ambasada e SHBA do të kufizohet, ndërsa shërbimet konsullore rutinore të planifikuara për mëngjesin janë anuluar.
"Operacionet konsullore të pasdites janë planifikuar të rifillojnë si normale", thuhet më tej.
