Aksidenti rrugor u mori djalin vetëm 6-vjeç, prindërit përmes "BOOM": Të hapen hetimet, u manipuluan provat

Emisioni BOOM solli në vëmendje aksidentin tragjik të ndodhur vitin e kaluar në Divjakë ku humbi jetën 6 vjeçari Avram Bashuri. Djali i vetëm mes tre vajzave kishte dashur të kalonte rrugën për të shkuar tek shtëpia e një shoku kur u përplas për vdekje nga një makinë.  Familjarët e viktimës, me prova dhe fakte hedhin akuza mbi prokurorin, gjyqtarët dhe ekspertët për manipulim të provave. Ata kërkojnë rihapjen e hetimeve dhe vendosjen e drejtësisë për djalin e tyre.

Divjake- Tetë muaj më parë, pikërisht me 7 gusht të 2018, një aksident rrugor do ti merrte jetën 6-vjeçarit Avram Bashuri. Edhe pse fëmija u dërgua në spital nuk arriti të mbijetonte. Për rastin u arrestua drejtuesja e mjetit tip "Benz" Maela Matarangasi me akuzën "shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor", por pas 7 muajsh dosja u mbyll dhe gruaja u lirua me pretendimin se nuk ka qenë ajo shkaktare e aksidentit.

Prindërit e vogëlushit 6 vjeçar u paraqitën në redaksinë e emisionit investigativ "BOOM" në RTV Ora pasi pretendojnë se drejtësia nuk ka vendosur drejtësi, por ka manipuluar faktet.

Ata vënë në dispozicion prova të cilat nuk janë marrë parasysh dhe gruaja e cila ka shkaktuar aksidentin ka dalë e pafajshme. Mamaja e Avramit, mes lotësh thotë se pas kësaj historie është një deputet  i cili ka dhënë urdhër që kjo dosje të mbyllet.

Jeta e prere ne mes e djalit te vetem pas 3 vajzave

Mamaja e 6 vjeçarit, Lindita Bashuri tregon per BOOM: "Në datën 7 gusht u përmbys bota ime, pasi im bir u aksidentua për vdekje ndërkohë që po kalonte rrugën. Vendi ku u aksidentua djali im kishte tabelë shpejtësie 20 km në orë por drejtuesja e mjetit po ecte me shpejtësi të madhe dhe e la të vdekur në vend.  As prokuroria , as ekspertët, as gjykata, nuk e mori parasysh këtë fakt dhe brenda një kohe rekord 7 muaj përfundon gjithçka.  Çështja mbyllet dhe Maela Matarangasi, ajo që më aksidentoi fëmijën, del e pafajshme."

Publikohen pamjet e aksidentit tragjik:

Gazetarja e "BOOM", Alketa Çeku ka ndjekur rastin, ka marrë dosjen e plotë të të kësaj çështje për të parë nga afër faktet dhe provat që disponojnë familjarët. 

Për herë të parë "BOOM" publikoi pamjet filmike të aksidentit, të marra nga kamerat e sigurisë të një hoteli.  Nga pamjet filmike, fëmija duket se del nga makina dhe tenton të kalojë rrugën për të shkuar në banesën e një shoku.

Makina tip "Benz"  që drejtohet nga shtetesja Maela Matarangasi e përplas fëmijën dhe e hedh gati 24 metra më tutje. Ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është se drejtuesja e mjetit nuk ndaloi por vijoi rrugën, ndërsa djalin e la në tokë, të paktën sic tregojnë kamerat e sigurisë.

"Malea Mantragasi ka qenë me shpejtësi aq të madhe sa djali ka flutuar si zog. Mi mori jetën!" thotë nena duke qarë. 


Si u mbyll dosja brenda 7 muajsh, Nderhyri nje deputet?

Mamaja thotë se ka ndërhyrë një deputet per tu mbyllur dosja.

"E kanë mbyllur çështjen brenda 7 muajsh. E dinim që kjo çështje do të mbyllej se pas saj qëndron një deputet, i cili ka dhënë urdhër që kjo dosje të mbyllet. Ajo që më vrau më shumë është se askush nga familjarët e vajzës që shkaktoi aksidentin nuk erdhi qoftë edhe për të kërkuar falje. Ne kemi fakte që djali ynë është i pafajshëm."

Hetimi: A po udhetonte me 20 km/ore shoferja?

Prokuror i çështjes u caktua Dritan Marku. Familjarët thonë se në vendin ku ndodhi aksidenti shpejtësia e lejuar eshte 20 km/ orë, ka dhe tabelë, por kjo nuk është marrë parasysh edhe pse në dosje ekziston një procesverbal për rikqyrjen e vendit të ngjarjes ku thuhet shprehimisht: "Në vendin ku ka ndodhur aksidenti, shpejtësia e lejuar ka qenë 20 km/orë dhe 200 metra larg vendit te ngjarjes eshte  tabela 40 km/ore  ".

Procesverbali mban firmën e oficerit të Policise Gjyqësore Bujar Arapi dhe ekspertin Kriminalist Alfred Ziu. Rikqyrja e vendit të ngjarjes u bë me urdhër të prokurores së Lushnjes Merita Selimi për të parë shpejtësinë e lejuar në vendin ku ka ndodhur aksidenti. Procesverbali  mban datën 15 gusht 2018, pikërisht 4 ditë pas aksidentit.

Pyetja qe ngrihet nga BOOM eshte a e ka pare prokurori këtë dokument, apo ka bërë sikur nuk e ka parë?! 

Shkeljet e ekspertëve

Nga ana tjeter tre ekspertët Evlad Jaho, Luan Muça dhe Koço Simaku kanë kryer shkelje flagrante. Ata kanë firmosur që shpejtësia e lejuar në këtë zonë është 40 km/orë, ndërkohë që në momentin e goditjes shpejtësia ka qenë 56 km/orë. Në akt ekspertizën e firmosur prej tre inxhierëve thuhet se drejtuesja e mjetit ka reaguar menjëherë me sistemin e frenimit dhe se goditja me këmbësorin është realizuar ne fillim të procesit te frenimit. 

Por pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë tregojnë se kjo nuk ka ndodhur, sistemi i frenimit nuk ka qene i menjëhershëm. Pasi është përplasur forca e makinës e ka hedhur mbi 20 metra tutje trupin e të voglit. 

Ne akt ekspertize eshte gabuar dhe targa e makines. Nuk eshte Benz AA 322 T por AA 023 OX



Rindërtimi i skenës së aksidentit, sa ishte shpejtësia e makinës?

Per te vertetuar akt ekserptizen "BOOM" rindërtoi skenën e aksidentit. Mori një manekin me peshën dhe gjatësinë e djalit 6 vjeçar që humbi jetën.

Prova e parë:  Nëse makina do të kishte ecur me 20 km/h, djali nuk do të kishte përfunduar as 50 cm larg makinës.

Prova e dytë: Nëse makina do të lëvizte me 40 km/h, distanca e trupit të fëmijës nga makina shkon në rreth 1.5 metra.

Prova e tretë: Nëse mjeti do të lëvizte me 56 km/h, aq sa e kanë llogaritur dhe ekspertët shpejtësinë, trupi i fëmijës do të përfundonte rreth 3 metra larg makinës.

Gazetarja Alketa Ceku: Pra në asnjë nga këto teste objekti nuk kaloi në kofano dhe xhami i sinjalit nuk u thye, fakt ky që na krijon bindje të arsyeshme se drejtuesja e mjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi më të madhe. Sepse në bazë të provave filmike dhe  fotove, ajo pasi e ka goditur 6 vjeçarin ka dëmtuar xhamin e sinjalit, njëkohësisht dhe kofanon.

Por këto fakte nuk janë marrë parasysh nga prokurori Dritan Marku i cili ka kërkuar pushimin e çështjes.

Nuk i ka interesuar as Gjyqtares se Vlorës, Viola Canaj, e cila pushoi çështjen me arsyetimin se nuk kemi të bëjmë me vepër penale.

"Në vendimin e gjyqtares Vjola Canaj që mban datën 5 shkurt 2019, thuhet se nga akt ekspertimi auteknik i urdhëruar nga prokuroria nuk rezulton që Maela Matarangasi të ketë qenë shkaktare për vdekjen e shtetasit Avram Bashuri. Po kështu përmes një ekspertimi auteknik të dytë me tre ekspertë rezulton pa asnjë dyshim se nuk është shkaktare për vdekjen e Avram Bashurit, shtetasja Matarangasi."                

 

Gjykata e Apelit 

Vendim u la i pandryshuar edhe nga trupa e gjykatës së Apelit me kryesues Skënder Damini dhe anëtare Klodiana Gjyzari dhe Hysen Saliko.

Ndoshta ky fund pritej që në fillim kur askush nuk u interesua për të sekuestruar pamjet filmike të bisneseve në vendin ku ndodhi aksidenti, të cilat dhe kur iu dorëzuan organit hetimor nuk u morën parasysh.

Çfarë thotë policia

Drejtues të lartë të policisë së Divjakës e njohin fare mirë këtë çështje, por jashtë kameras shprehen se nuk e kuptojnë arsyen se përse gjykata dhe prokuroria nuk marrin parasysh pamjet filmike.

Punonjësi i policisë: "Ne e dimë që këtu ka ndodhur një aksident. Makina ka përplasur një fëmijë dhe e ka hedhur përpjetë. Babai i fëmijës nuk po e gjen të drejtën. Nuk dihet se përse gjykata nuk i merr parasysh pamjet filmike".

Prindërit apel për rihapjen e hetimeve

Këtë vit Avrami i vogël do të ulej në bankat e shkollës, në klasën e parë, por vendi i takimit që ai ka me prindërit është krejt tjetër. Ata kërkojnë rihapjen e hetimeve pasi asnjë provë nga ato që kanë ofruar nuk janë marrë parasysh.

Lindita Bashuri: “Të vihet drejtësia në vend sepse djali im prehet aty për shkak të papërgjegjshmërisë së një gruaje. Nuk e di si do të ishin bërë letrat nëse do të kishte qenë djali i një deputeti apo i një zyrtari të lartë. Dua drejtësi për djalin pasi ishte i pafajshëm".


Emisioni "BOOM" pas publikimit të këtyre fakteve kërkon që të fillojnë hetimet nga e para dhe të vihen përpara përgjegjësisë të gjithë personat që kanë kryer shkelje.

"BOOM" i bën thirrje Presidentit, Kryeprokurores Arta Marku Ministres se Drejtësisë të marrë në konsideratë faktet që transmetoi këtë të hënë për të vënë drejtësinë në vend



EMISIONET