Ekspozita mbretërore e modës, fustani i nusërisë i Princeshës Diana rishfaqet pas 25 vitesh
Një ekspozitë e modës mbretërore është çelur në Pallatin Kensington, ku është shfaqur pas 25 vitesh edhe një nga veshjet më ikonike të Princeshës Diana. Bëhet fjalë për fustanin e nusërisë, të veshur ditën e martesës së Lady Diana Spencer me Princi Charles më 29 korrik 1981. Ekspozita risjell edhe momentet e krijimit të stilit unik të princeshës.
Fustani i nusërisë i Princeshës Diana, i dizenjuar nga stilistët David dhe Elizabeth Emanuel, është pjesë e një ekspozite të re, në Pallatin Kensington, restaurimi i të cilit përfundoi së fundmi.
Veshja ikonike prej mëndafshi, që shënjoi imagjinatën kolektive të viteve 1980, u dhurua nga fëmijët e princeshës, William dhe Harry.
E quajtur “Krijimi i stilit mbretëror” ajo eksploron marrëdhëniet e ngushta që krijohen midis një stilisti të modës së lartë dhe një prej klientëve të tij, që është anëtar i familjes mbretërore.

Në një video të posaçme, Elizabeth Emanuel kujtoi që Diana e kishte telefonuar për t'i kërkuar asaj dhe Davidit të bënin fustanin.
"Ishte një nga ato momentet e çuditshme, ku e dini që jeta juaj nuk do të jetë më e njëjta," tha ajo.
Në një video tjetër, Sassoon rrëfeu se Diana ishte "shumë e ndrojtur" kur u takuan për herë të parë, por më vonë u bë "shumë praktike në zgjedhjen e asaj që dëshironte".
Fustani shkaktoi një interes kaq të madh, saqë stilistët e rinj David dhe Elizabeth Emanuel e mbyllën fustanin e mëndafshit, me bisht të gjatë 25 metra, në një kasafortë gjatë natës.

"Pavarësisht se mund të planifikoni gjithçka për ceremoninë perfekte, do të ketë gjithmonë diçka që nuk e kishit parashikuar," u tha gazetarëve kuratori i ekspozitës Matthew Storey përpara hapjes.
"Ishtë një fustan shumë i madh dhe një karrocë shumë e vogël," tha ai.
Ekspozita do të qendrojë e hapur deri më 2 janar dhe tregon disa nga proceset gjatë punës me krijimin e veshjes, duke shfaqur fotografi të rrobaqepësve dhe madje edhe çelësat e kasafortës ku ruhej fustani. Kjo ekspozitë e vë theksin tek krijimi i stilit personal dhe unik të princeshës Diana.
