Kina shton influencën në Hong Kong, burgoset dhe i sekuestrohet pasuria manjatit të medias
Autoritetet në Hong Kong kanë ngrirë këtë të premte asetet e njërit prej njerëzve më të pasur të medias në vend. Sipas kritikëve kjo është pjesë e një goditjeje të vazhdueshme ndaj mediave. Jimmy Lai ndodhet aktualisht në burg ku akuzohet edhe për bashkëpunimin me një vend të huaj.
Autoritetet e Hong Kongut ngrinë këtë të premte pasuritë që i përkisnin manjatit të medias Jimmy Lai. Në pasuritë e sekuestruara janë të gjitha aksionet në kompaninë Next Digital. Kjo është hera e parë që se ka hyrë në fuqi ligji i ri për sigurinë kombëtare në Hong Kong që listohet në sekuestro edhe një firmë.
Jashtë vëmendjes së autoriteteve nuk kanë mbetur as llogaritë bankare të tre kompanive të tjera në pronësi të tij. Lajmin e njoftoi sekretari i Hong Kongut për Sigurinë John Lee.
Më herët, Lai u dënua me 14 muaj burg për pjesëmarrje në mbledhje të paautorizuara gjatë protestave pro-demokracisë në 2019-ën.
Ai po përballet në gjykatë me tre akuza sipas ligjit të ri të sigurisë, ndër të cilat edhe bashkëpunimin me një vend të huaj.
Lëvizja e ndërmarrë kundër pasurive të tij vjen në kuadër të kriminalizimit të veprimeve që përfshijnë përmbysjen, kryengritjen dhe bashkëpunimin me forcat e huaja.
Analistët shkruajnë se ky vendim i marrë këtë të premte mund të ketë ndikim te investitorët e tjerë. Sipas tyre, ka pasur shenja të largimit të kapitalit që kur ligji u vendos qershorin e kaluar.
Më herët ka pasur edhe protesta për këtë ligj në Hong Kong.
Pekini zyrtar thotë se e imponoi ligjin mbi ish koloninë britanike për të rivendosur rendin pas muajsh protestash që sipas gjigantit aziatik ishin anti-Kinë.

