Gjermania zgjat kufizimet anticovid deri në prill
Gjermania do të qëndrojë pjesërisht e mbyllur deri më datën 18 prill, pasi situata me pandeminë sa vjen e rëndohet.
Kancelarja, Angela Merkel, deklaroi pas takimit me krerët e landeve gjermane se përveç bllokimit të aktiviteteve kulturore, zbavitëse e sportive, masat e ndalimqarkullimit do të ashpërsohen gjatë javës së Pashkëve mes 1 dhe 5 prillit, kohë kur parashikohet mbyllja e shumicës së dyqaneve dhe shërbimeve fetare.
"Në thelb, kemi një pandemi të re. Mutacioni britanik na ka pushtuar, që do të thotë se kemi një virus të ri me veçori të ndryshme: më vdekjeprurës, më infektues dhe për një kohë më të gjatë. Dhe për shkak të këtyre veçorive, gjithë suksesi i mëparshëm është zhbërë," tha Angel a Merkel.
Merkel tha se masat frenuese janë të nevojshme pasi vendi raportoi edhe të hënën mbi 100 raste infeksioni nga covid-19 për 100 mijë banorë, ndërsa 50 mbetën viktima.
Sipas kancelares, vendi po has vështirësi edhe me fushatën e vaksinimit të popullatës.
Masat, ndërkohë, vazhdojnë të godasin sektorin e turizmit të ekonomisë më të madhe europiane.
"Imagjinoni se si mundet punonjësit dhe pronarët e sektorit të jetojnë dy vite pa të ardhura. Kjo nuk është më jetë," tha Bettina Eggert, pronare e një agjencie udhëtimi.
"Njëzet hotele tonat janë të hapura për momentin, me aq klientë sa mbulojmë veç shpenzimet për stafin dhe kostot e tjera. Na duhen udhëzime të qarta nga politikanët në nivel europian, jo vetëm në Gjermani," deklaruan punonjës të agjencive të udhëtimit dhe hoteleve, teksa demonstruan të hënën para monumentit simbol të kryeqytetit gjerman.