Sulm me armë në supermarket, humbin jetën 10 persona

Një sulm i armatosur në një supermarket amerikan la të hënën 10 të vrarë, duke u bërë masakra e dytë në vend në më pak se një javë.

Ngjarja ndodhi në qytetin Bolder të Kolorados rreth orës 15 dhe autori i dyshuar u arrestua.

Dëshmitarë okularë thanë se sulmi erdhi papritur dhe pa motive paraprake.

"Dëgjova një zhurmë të madhe, që m'u duk si krismë. Zhurma ishte e mbytur por pastaj nisi me breshëri dhe bashkë me gruan ishim të parët që dolëm nga dera e emergjencës, duke aktivizuar edhe alarmin e supermarketit."

Policia nuk dha hollësi për të dyshuarin, por pamjet nga larg e shfaqën atë të zhveshur dhe të gjakosur teksa shoqërohej nga oficerët.

Ai raportohet se shkëmbeu zjarr me forcat e rendit, duke vrarë edhe njërin prej tyre.

"Sot mund t'ju informoj se nuk ka më rrezik për publikun, se personi i dyshuar është nën arrest. Personi u plagos gjatë incidentit dhe po trajtohet për plagët," tha polici Kerry Yamaguchi.

Administrata e re amerikane me presidentin Joe  Biden në krye ka paralajmëruar ashpërsim të ligjit për blerjen dhe mbajtjen e armëve, ndërsa pritet të propozojë edhe ndalimin e armëve të zjarrit që shkrepin fishekë të shumëfishtë.