Fjolla Morina në arrati, Gjykata e Kukësit vendos burg për të
Gjykata e Kukësit rikthen në burg këngëtaren e njohur Fjolla Morina, të paktën në letra.
Trupi gjykues ndryshoi sot masën e sigurisë ndaj saj nga "arrest shtëpie" në "arrest me burg" për shkak se Morina e shkeli masën e parë të sigurimit, duke u arratisur.
Ndryshimi i masës së sigurisë u bë në mungesë të këngëtares.
Kujtojmë se këngëtarja, u arrestua në pikën e kalimit kufitar të Morinit më 19 shtator 2020, duke hyrë në Shqipëri, por në çantën e saj u gjetën dy pistoleta, njëra prej tyre çakmak, si edhe 23 fishekë.
Ndërkohë, në momentin e arrestimit, këngëtarja ishte e shoqëruar në makinë nga dy persona të tjerë, Fitim Muji shoferi personal dhe nga biznesmeni Fisnik Syla, i cili tashmë është bashkëshorti i këngëtares.
Fillimisht ajo u akuzua për armëmbajtje pa lejë, por pas hetimeve prokuroria bëri rikualifikimin e veprës penale duke e ngritur akuzën për trafikim armësh dhe municioni.
Gjykata vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie për këngëtaren, ndërsa dy personat e tjerë u lanë në qeli për 16 ditë dhe më pas u liruan pasi Morina sqaroi se ata nuk kanë pasur dijeni për armët që u gjetën në çantën e saj.