Shpërthen në ajër avioni Boeing, pjesë të motorit bien mbi shtëpitë

Prodhuesi amerikan i avionëve, "Boeing", ka rekomanduar ndaljen e përkohshme të fluturimeve me avionët tip 777.

"Boeing" sqaroi se problemi i avionit tip 777 qendron te motori.

Në fundjavë, një aeroplan i tillë u detyrua të bëjë ulje të detyruar pasi njëri prej motorëve shpërtheu në ajër.

Megjithëse incidenti kaloi pa pasoja në njerëz, veshja e jashtme e motorit të djathtë u shpërbë gjatë fluturimit dhe pjesët e metalit u shpërndanë në zonat e banuara.

Nga hetimet paraprake mësohet se u thyen papritur dy nga fletët e helikës, duke dëmtuar tërësinë e njësisë por dëmet në trupin e avionit 26-vjeçar ishin minimale.

Mjeti ishte nisur nga qyteti Denver i Kolorados dhe kishte për destinacion ishullin e Honolulusë në Hauai.

Kompania ajrore "United Airlines" në SHBA, disa kompani në Japoni dhe në Korenë e Jugut që përdorin modelet 777 të prodhuesit amerikan, njoftuan se i kanë parkuar mjetet e ngjashme deri në hetimin e plotë të ngjarjes.

"Boeing" deklaroi se mbi 120 avionë në botë përdorin të njëjtin motor si ai që u përfshi në incidentin e fundjavës.