Gjyqi kundër Trumpit nis më 8 shkurt
Gjyqi në Senatin amerikan për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për akuzat e “nxitjes së kryengritjes” dhe dhunës vdekjeprurëse në Kongres, do të nisë më 8 shkurt.
Lideri i shumicës në Senat, demokrati, Chuck Schumer, e bëri këtë njoftim pasi ra dakord me republikanët.
“Gjyqi do të mbahet në Senatin e Shteteve të Bashkuara dhe do të ketë votim nëse duhet të dënohet presidenti”, ka thënë Schumer në një fjalim në dhomën e Senatit.
Ndërkaq, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi planifikon të dërgojë padinë kundër Trump në Senat më 25 janar, për të nisur procedurat fillestare në ditën pasuese.
Trump, presidenti i parë amerikan ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza, dhe i pari që gjykohet pasi i ka mbaruar mandati, ndodhet në Florida që prej 20 janarit, ku shkoi për të shmangur inaugurimin e pasardhësit të tij Joe Biden.
Sulmi ndaj Kongresit më 6 janar, nga kryengritësit pro Trump ka rezultuar me vdekjen e pesë vetëve, përfshirë një oficer policie.
Dhuna në Kongres shpërtheu pasi ish-presidenti Trump pretendoi disa herë, pa dhënë fakte, se ai i kishte fituar zgjedhjet e 3 nëntorit, por procesi ishte manipuluar më pas.