Rrezikojnë dënimin me burg përjetë trafikantët që vranë 39 emigrantë

Katër trafikantë njerëzish rrezikojnë dënimin përjetë nga një gjykatë angleze, për vrasjen e 39 emigrantëve.

Viktimat ishin shtetas vietnamezë, 29 burra, 2 fëmijë dhe 8 gra që shpresonin për një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe.

Më 22 tetor 2019, ata u gjetën brenda një trajleri frigoriferik të regjistruar në Bullgari, pasi kishin paguar 13 mijë paund për të hyrë ilegalisht në tokën angleze.

"Djali im ka dy fëmijë. Nuk kishte para për familjen dhe donte të ndiqte shembullin e shokëve të vet duke shkuar jashtë, për të fituar para për të rritur fëmijët," tha Le Minh Tuan, babai i njërit prej viktimave.

"Im bir më tha se do kalonte si VIP, me një makinë të vogël, i sigurt. Por na gënjyen. Po ta dija që do e futnin me kamion, nuk do e kisha lënë," tha nëna e një tjetër viktime.

"Më mori djali që andej, më tha që të paguaja lekët, përndryshe nuk do ta lironin," tha Hoang Lanh, babai i njërit prej viktimave.

Shoferi i trajlerit, 26-vjeçari Moris Robinson, dhe shefi i tij, Ronan Hjuz, kanë pranuar se ishin në dijeni dhe kishin organizuar trafikimin e emigrantëve vietnamezë.

Mes majit 2018 dhe tetorit 2019, ata akuzohen se kishin kryer edhe 6 rrugë të tjera.

Trafikimi i njerëzve në Britani dënohet me 14 vite burg, por ata dhe bashkëpunëtorë të tjerë përballen me rrethana rënduese për shkak të 39 vdekjeve.