Trump përballë tentativës së dytë për shkarkim, votuan edhe 10 republikanë
Presidenti Donald Trump bëhet presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj të cilit i ngrihet për herë të dytë akuza për shkarkim të mundshëm.
Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve miratuan (sot) rezolutën për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kongresit nga një turmë e mbështetësve më 6 janar.
Rezoluta për shkarkim u miratua nga 232 ligjvënës, ndërsa 197 të tjerë votuan kundër.
Përveç demokratëve, dhjetë republikanë votuan pro shkarkimit të tij.
Pas këtij hapi, Senati do të duhet të zhvillojë një seancë gjykimi, çka potencialisht mund t’ia ndalojë Trumpit edhe kandidimin e sërishëm për president, shkruan REL.
Dy të tretat e Senatit, të udhëhequr nga republikanët, nevojiten për të dënuar dhe larguar Trumpin nga zyra, që nënkupton se të paktën 17 republikanë duhet t’iu bashkohen demokratëve kundër presidentit në Senatin me 100 ulëse.
Lideri i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, i ka thënë demokratit Chuck Schumer se ai nuk ka gatishmëri për të organizuar seancë urgjente për të shqyrtuar largimin e Trumpit nga zyra, pas përfundimit të procedurave në Dhomën e Përfaqësuesve, ka thënë një zëdhënës i McConnellit.
McConnell ka thënë më pas se ende nuk ka vendosur si do të votojë.
“Teksa shtypi është mbushur me spekulime, ende nuk kam vendosur se si do të votoj dhe synoj të dëgjoj argumentet ligjore kur të prezantohen në Senat”, ka thënë ai, shkruan REL.
Përgjatë debatit për shkarkim të Trumpit demokratët kanë pyetur disa herë ligjvënësit se në “cilën anë të historisë” dëshirojnë të jenë.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për mundësi të organizimit të “protestave të armatosura” nëpër SHBA, teksa zhvillohet inaugurimi i presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar.