Italia nis gjyqin më të madh mafioz në dekada ndaj Ndrangetas
Bosi dhe pjesëtarët e grupit mafioz italian, "Ndrangeta", u ulën të mërkurën në bankën e të akuzuarve për të dëshmuar mbi dhjetëra veprat e ndryshme kriminale që rëndojnë ndaj tyre. Janë mbi 350 të akuzuarit që pritet të marrin verdiktin pas dy viteve gjykim.
Në Itali nisi procesi ndaj grupit mafioz, "Ndrangeta", për të gjykuar 355 pjesëtarë, politikanë, avokatë apo biznesmenë për lidhje kriminale me mafien italiane.
Prokurori i antimafies, Nikola Grateri, dhe gjykatësit mbajtën të mërkurën seancën e parë në qytezën e Lamecia-Termes, në zemrën e territorit të "Ndrangetës" në Kalabri.
"Është gjyq historik, jo vetëm për numrin e personave të përfshirë, siç duket nga salla gjigante ku po zhvillohet procesi, por edhe për rolet që kanë ata që janë vënë para drejtësisë, për krimet për të cilat akuzohen," deklaroi Nikola Mora, kryetari i komisionit parlamentar të Antimafies.
Mbi 900 dëshmitarë pritet të dëshmojnë për një numër veprash kriminale të kryera nga vitet 1990, të llojit vrasje, trafikim droge, zhvatje, pastrim parash apo abuzim me detyrën.
Shumica e të pandehurve u arrestuan në dhjetor të 2019-s nga operacionet në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Bullgari.
"Këtu kemi ata që quhen ushtarakët e Ndrangetës, ata që përdorën kallashnikovët, armët, për kanosje dhe shtrëngim. Ka edhe shumë kollare të bardha që ndihmuan kontaktet e saj me fuqitë publike."
Hetimet ndaj të dyshuarve po i udhëheq prokurori Grateri, i cili beson se familja e kreut të klanit, Luixhi Mankuzo dhe 6 mijë pjesëtarët e saj në rajonet rreth Kalabrisë, kanë infiltruar të gjitha fushat e jetës publike, nga pushteti lokal, te spitalet, varrezat, madje edhe sistemin e drejtësisë.
"Do më pëlqente që shoqëria civile, veçanërisht shkollat, të merrnin pjesë në seancat gjyqësore. Duke njohur mafien, sidomos Ndrangetën, do kuptojnë rëndësinë e luftës tonë të vendosur ndaj tyre."
Mbi 350 të pandehurit nuk ishin fizikisht të pranishëm në seancë e së mërkurës, por mundën të marrin pjesë gjatë procesit nga interneti.
"Ndrangeta" mendohet se gjeneron pasuritë më të mëdha se çdo grup tjetër mafioz në botë, me të ardhura vjetore që i kalojnë 50 miliardë euro.