Qielli ofron spektakël sonte, mbi 50 meteorë do të bien në çdo një orë

Shi i vërtetë meteorësh pritet mbrëmjen e kësaj të hëne. Përgjegjës për këtë fenomen të rrallë natyror është asteroidi Phaethon. Ai u regjistrua për herë të parë në 1862 dhe risjell spektakël çdo dhjetor.

Mbrëmja e 14 dhjetorit do të jetë një nga shfaqjet më të mahnitshme të këtij viti, pasi pritet shiu i meteorëve Geminid.

Kulmi i fenomenit këtë vit arrihet me rreth 50 meteorë që bien çdo një orë. Spektakli risjell magjinë qiellorë çdo dhjetor që nga 1862.

Megjithatë, numri i meteorëve të dukshëm do të varet shumë edhe nga fakti se sa i errët është qielli.

Fatmirësisht, sipas ekspertëve, hëna do të jetë jo e plotë këtë mbrëmje ndaj do të jetë më e lehtë të shihen meteorët që përshkojnë qiellin.

Përgjegjës për këtë shi meteorësh është asteroidi 3200 Phaethon. Ai nxehet në mbi 700 gradë celcius kur i afrohet më shumë diellit e kjo bën që mbetje të tij të lëshohen.

E pikërisht këto mbetje shkaktojnë shiun e meteorëve kur ato hyjnë në atmosferën e tokës me një shpejtësi prej mbi 35 mijë metrash për sekondë, duke u djegur në ato që ne i quajmë yje që bien.

Asteroidi Phaethon u zbulua në tetor 1983 dhe mori emrin e djalit të Heliosit, Zotit të diellit, nga mitologjia greke sepse ai i afrohet shumë diellit tonë.