Pandemi, fjala e vitit 2020

Nëse do të zgjidhnim një fjalë të vetme të anglishtes si më populloren në përdorim gjatë vitit 2020, cila do të ishte?

Kompania amerikane e leksikologjisë, Merriam-Webster, e cila nxjerr gjithashtu fjalorin e anglishtes amerikane, njoftoi të hënën se “pandemi” është fjala e vitit.

“Nuk besoj se është habitur njeri nga kjo zgjedhje,” thotë redaktori i kompanisë Merriam-Webster në komente për agjencinë e lajmeve Associated Press.

“Zakonisht fjala e zgjedhur ka një përdorim teknik. Në këtë rast, “pandemi” ka përdorim teknik, por hyri edhe në përdorim të gjerë. Ka shumë të ngjarë që kjo të bëhet fjala referuese kur të flasim në të ardhmen për këtë periudhë” thotë ai.

Fjala hyri me urgjencë në përdorim në mars, kur kriza e krijuar nga koronavirusi u cilësua si pandemi. Në faqen elektronike të kompanisë, Merriam-Webster.com filloi të shfaqej si fjalë e shfaqur shpesh që në fillim të janarit, pastaj në shkurt kur u regjistruan vdekjet e para në Shtetet e Bashkuara dhe kur u vërejtën vatra infeksioni në anijet turistike.

Fjala “koronavirus” ishte po ashtu konkurrente si një ndër termat më të përdorur, pasi kishte kaluar nga përdorimi mjekësor në përdorim të gjerë.

Të tjera ishin karantinë, asimptomatik (pa simptoma), mamba (epitet për basketbollistin Kobe Bryant, i cili u nda nga jeta në janar 2020), de-financo (protestuesit në demonstrimet për drejtësi racore në shumë raste brohorisnin këtë term në kuadër të thirrjeve për të ndalur fondet për policinë), antebellum (term latinisht që simbolizon objekte apo fenomene të periudhës para Luftës Civile amerikane) dhe “malarkey”- broçkulla, një term i dalë disi nga moda, por i preferuar në komentet e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Të gjitha këto terma pasqyrojnë fenomene dhe ngjarje specifike të ndeshura gjatë 2020.