Itali/ Rriten frikshëm infektimet, në 24 orët e fundit regjistrohen rreth 31 mijë raste dhe 300 viktima

Italia ka hyrë në një fazë të re dramatike të pandemisë së koronavirusit, duke regjistruar në 24 orët e fundit më shumë se 31 mijë raste dhe gati 300 viktima të reja.

Kryeministri italian Xhuzepe Konte pritet të vërë në dijeni të dyja dhomat e Parlamentit për masat urgjente të nivelit lokal dhe kombëtar.

Napoli, Torinoja, Milanoja por edhe Roma janë qytetet që raportohet se kanë vëmendjen e veçantë të ekzekutivit dhe mund të jenë të parët që të izolohen për dy-tri javët e ardhshme.

Zonat e kuqe do të caktohen sipas shkallës së infeksionit dhe situatës në spitale.

Sipas ekspertëve që këshillojnë qeverinë italiane, masat do jenë të detyrueshme për rajonet e Lombardisë, Lacios, Vale d'Aostës, Ligurias dhe Bolzanos, ndërsa me rrezik të lartë konsiderohen edhe Abruxoja, Bazilikata, Kalabria, Piemonti, Pulia, Siçilia, Toskana dhe Venetoja.

Lëvizjet nga njëri rajon në tjetrin për qëllime shkollimi do lejohen vetëm për nxënësit deri në klasën e shtatë, ndërsa më të rriturve do u kërkohet të ndjekin mësimin nga interneti.

Pritet të ngrihen të ashtuquajturat "hotele kovidi" për strehimin e personave që rezultojnë pozitiv me virusin SARS-CoV-2, për të mos infektuar familjarët e tjerë; në fundjavë do mbyllen qendrat tregtare, ndërsa guvernatorëve do u lihet të vendosin për oraret e mbylljes së bar-restoranteve dhe ndërmarrjeve të tjera që tani e kufizuar veprimtarinë e tyre deri në orën 18.

Në një intervistë për të përditshmen "Corriere della Sera", ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranxa, tha të dielën se situata në Itali është akoma shumë e vështirë, spitalet janë tejmbushur me të sëmurët me kovid-19 dhe me qytetarë me patologji të tjera.

Ministri theksoi se në 48 orët e ardhshme duhet të jepen shenjat a kanë dhënë efekt masat e marra nga qeveria në javët e fundit, ndryshe do merret parasysh rimbyllja në nivel kombëtar.

Edhe këtë fundjavë, ndërkohë, në qytetin e Napolit, në Romë dhe në Milano qytetarët manifestuan kundër kufizimeve të reja.

Disa demonstrues në Firence thanë se inatin e kanë me institucionet që për 7 muaj nuk arritën të gjejnë zgjidhje kundër pandemisë, por tani ua ngarkojnë sërish atyre përgjegjësinë.