Luftime të reja në Nagorno-Karabak
Të dielën u shënuan luftime të reja midis Azerbajxhanit dhe forcave armene në malet e enklavës së Nagorno-Karabakhut dhe të dyja palët fajësuan njëra tjetrën për bllokimin e bisedimeve të paqes.
Armenia akuzoi forcat azere për shënjestirmin e vendbanimeve të civilëve. Baku-ja e mohoi një gjë të tillë dhe tha se ishte gati të zbatonte një armëpushim sapo forcat armene të tërhiqen nga fushëbeteja.
Luftimet e fundjavës vijnë pas takimit të së premtes në Uashington të ministrave të Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit, takim që nuk prodhoi ndonjë rezultat. Gjithashtu dështimi i dy armëpushimeve të ndërmjetësuar nga Rusia e bëjnë të largët fundin e luftës që filloi më 27 shtator.
“Jam absolutisht besimplotë te efikasiteti i negociatave të paqes por kjo varet edhe nga pjesëmarrja në to e palës armene,” tha për televizionin amerikan Fox Neës, presidenti azer Ilham Aliyev.
“Pse qytetarët azerë dhe armenë mund të jetojnë së bashku me Gjerorgji, Rusi, Ukrainë dhe në vende të tjera, por vetëm jo në Nagorno Karabakh?” pyeti Aliyev.
Presidenti armen Sarkissian akuzoi Baku-në se po sillet në mënyrë “agresive dhe kokëfortë”.
Komentet e presidentit Sarkissian, vijnë pas thirrjes së tij drejtuar “fuqive botërore” që të ndërhyjnë për të vendosur armëpushimin.
Presidenti rus Vladimir Putin shpresonte se ShBA-ja do ta ndihmonte Moskën të arrinte zbatimin e armëpushimit dhe shuarjen e konfliktit.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax tha të shtunën se numri i armenëve të vrarë në konflikt është rritur në 963. Azerbajxhani raportoi gjithashtu për 65 civilë të vrarë dhe 298 të plagosur.