Protestuesit rikthehen në Bangkok/ Kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Mijëra vetë u kthyen në rrugët e kryeqytetit të Tajlandës, Bangkok të dielën, në demonstratën e parë që kur kryeministri Prayuth Chan-ocha injoroi afatin e lënë për t’u dorëhequr. Ishte gjithashtu matja e parë e forcave që kur kryeministri Prayuth u detyrua nga protestat më 15 tetor të heqë gjendjen e jashtëzakonshme në fuqi prej mbi tre muajsh.

Protestuesit janë zotuar ta mbajnë presionin lart derisa kryeministri të largohet në mënyrë paqësore.

Pavarësisht protestave zyra e kryeministrit tha se ai nuk do të largohet. Një zëdhënës shtoi se kriza politike do të diskutohet në Parlament dhe të hënën e të martën është thirrur një sesion i posaçëm. Opozita gjithsesi është pesimiste se Parlamenti kukull i Tajlandës do të gjejë një zgjidhje.

Në rrugë nuk pati prani të shtuar të policisë dhe një zëdhënës i qeverisë tha se nuk do të përdoret forca për të shpërndarë turmat. Ai ju bëri thirrje protestuesve të sillen në mënyrë paqësore dhe të respektojnë ligjin.

Në një atmosferë gazmore, një grup transvestitësh organizuan një shfaqje dhe gjithashtu i bënë thirrje kryeministrit të dorëhiqet.

Protestat që filluan në mes të korrikut kanë shtuar presionin ndaj klasës qeverisëse, sidomos me kërkesat për të kufizuar liritë e Mbretit Rama X, temë kjo tabu për një vend i Tajlanda.

Të hënën protesta do të zhvendoset para ambasadës gjermane, pasi mbreti shpenzon pjesën më të madhe të vitit në Gjermani.