Stina e pranverës, mjekët: Kujdes nga alergjia dhe astma
Stina e pranverës, veç ngrohjes së motit dhe luleve, sjell dhe rrezikun për shfaqjen e alergjive dhe astmës, por edhe të virozave stinore, për shkak të luhatjes së ndjeshme të temperaturave. Ndërkohë, mjekët apelojnë për të gjithë të tregohen të kujdesshëm në këtë stinë dhe të zbatojnë këshillat e rekomanduara nga ta. Kujdes i veçantë duhet treguar me fëmijët, për të cilën mjekët thonë se duhet të dalin në ambientet e jashtme gradualisht, por edhe të moshuarit e të sëmurët kronikë.
Mjekët pediatër thonë se tek fëmijët e vegjël është shtuar numri i rasteve me infeksione të rrugëve respiratore të ndikuara jo vetëm nga virozat stinore, por dhe nga fenomenet alergjike, spazike, apo dhe të rrugëve respiratore.Studimet e ndryshme nga Instituti i Shëndetit Publik dhe të dhënat nga mjekë pediatër tregojnë se çdo fëmijë nën 5 vjeç kalon çdo vit mesatarisht 2-4 episode të infeksioneve akute respiratore.
Megjithë përmirësimet në trajtimin e fëmijëve, infeksionet akute respiratore, veçanërisht pneumonia, mbesin shkaku kryesor në vdekjen e fëmijëve nën 5 vjeç. Sëmundjet diarike ndeshen shpesh tek fëmijët nën 5 vjeç.
Alergjia dhe astma
Numri i personave të prekur nga sëmundjet alergjike apo edhe astma, pavarësisht mungesës së të dhënave të sakta, po vjen shtohet nga dita në ditë. Por periudha e cila ka shënuar dhe kulmin më të madh ka qenë gjatë këtyre viteve te fundit, pohojnë mjekët alergologë.Shfaqja e kësaj sëmundje është karakteristike më shumë për moshat e reja, kryesisht femijet dhe te rinjte. Ndërsa mund të vazhdojë të shfaqet tek personat deri ne moshën 50-60 vjeçare.
Shkaktaret e kësaj sëmundjeje janë alergentët e ndryshëm, duke filluar nga polenet e luleve, parazitoza te ndryshme, substanca kimike që ndotin ambientin, detergjentët, pajisjet kozmetike dhe produkte nga kafshët shtepiake. Ndotja e ambientit dhe ajrit është ndër shkaktarët kryesore që ka rritur numrin e personave te prekur nga alergjite dhe nga astma.
Ndërkohë, mjekët vënë theksin edhe tek trajtimi i kësaj sëmundje, pasi, sipas tyre, mund të rishfaqet nëse nuk është bërë kurimi i plotë. “Faktorë te tjere qe ndikojne ne shfaqjen e ketyre semundjeve jane edhe ato te trasheguara apo rishfaqja pas disa viteve, nëse nuk është bërë kurim i plote”, thonë mjekët, të cilët përmendin si një ndër faktorët dhe ndryshimin dhe urbanizimin e shpejtë. Problematike, sipas mjekëve, mbetet neglizhenca e alergjisë nga poleni.
Për këtë këshillohet që, me shenjat e para, të kryhet testi i alergjisë për të zbuluar se nga vijnë irritimet dhe më pas, kurimi.Bazuar në të dhënat shëndetësore, në vendin tonë rreth 30-40 % e popullsisë janë evidentuar me sëmundje alergjike. Rreth 3 % e popullsisë janë të sëmurë me astmë, 4 % e fëmijëve vuajnë po këtë sëmundje dhe prevalenca e astmës në vendin tonë po rritet me 5% në vit.
Ndërkohë, rritja e prevalencës së tyre në sëmundjeve alergjike në përgjithësi, i astmës (alergjike) në veçanti, bëhen shkak i rëndësishëm i mungesave në shkollë e punë, shpenzimeve shumë të larta për kujdesin shëndetësor dhe rreth 1 milion vdekje për çdo dekadë, sipas Iniciativës Globale për Astmën.
Sipas studimeve botërore nga ekspertët e sëmundjeve respiratore, rreth 300 milionë njerëz vuajnë nga astma bronkiale në botë, ose 20 % e popullsisë botërore aktualisht vuan nga astma bronkiale dhe prevalenca është në rritje. Astma alergjike është forma më e zakonshme, ndërsa 90% të të gjitha rasteve me astmë janë alergjike dhe zakonisht zhvillohet në fëmijëri.(ATSH)