“Ju dua, por më kuptoni”/ Gjesti ngre shqetësimin ndaj fansave, ja çfarë i kërkoi këngëtari atyre (FOTO)
Reperi Gjesti u ka drejtuar një mesazh publik fansave të tij, duke kërkuar respekt për hapësirën private dhe familjen. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka falënderuar mbështetësit për dashurinë dhe përkrahjen, por ka kërkuar që të shmangin vizitat pranë banesës së tij.
Gjesti ka treguar se e vlerëson dëshirën e fansave për ta takuar apo për të bërë fotografi, por shtëpia mbetet i vetmi vend ku ai mund të largohet nga angazhimet publike dhe të kalojë kohë të qetë me familjen.
Sipas tij, vizitat e shpeshta pranë shtëpisë kanë bërë që të jetë e vështirë të ruajë privatësinë dhe qetësinë personale. Ai ka sqaruar se kërkesa e tij nuk lidhet me mungesën e vlerësimit për fansat, por me nevojën për të pasur një hapësirë personale jashtë skenës.
“Ju lutem më kuptoni edhe mua. Shtëpia është i vetmi vend ku mundohem me pushu, me kalu kohë me familjen dhe me gjet pak qetësi”, ka shkruar Gjesti në mesazhin e tij.
Reperi ka ftuar fansat që takimet dhe fotografitë të zhvillohen në koncerte, evente dhe ambiente publike, ku ai shprehet se do të jetë gjithmonë i gatshëm të ndajë momente me ta.
Në fund të mesazhit, Gjesti ka falënderuar ndjekësit për mirëkuptimin dhe respektin ndaj privatësisë së tij dhe familjes.


