Sekreti i bukurisë së Audrey Hepburn: Rutina e thjeshtë që e bëri ikonë të përjetshme
Audrey Hepburn mbetet një nga ikonat më të mëdha të bukurisë në Hollywood, por rutina e saj ishte shumë më e thjeshtë nga sa mund të mendohet. Nga ushqimet që preferonte deri te refuzimi i kirurgjisë plastike, djali i saj i madh ka zbuluar si kujdesej aktorja për pamjen dhe mirëqenien e saj.
Sean Hepburn Ferrer ka folur për zakonet e së ëmës dhe për disa prej ideve të pasakta që kanë qarkulluar ndër vite rreth fizikut të saj.
Ylli i “Breakfast at Tiffany’s” vazhdon të jetë një pikë referimi për stilin dhe bukurinë, por sipas Ferrer-it, mënyra se si ajo e ruante pamjen është keqinterpretuar shpesh.
Në biografinë “Intimate Audrey: An Authorized Biography”, të shkruar së bashku me Wendy Holden, ai rrëzon pretendimet se Hepburn vuante nga një çrregullim i të ngrënit.
“Pavarësisht thashethemeve që qarkulluan për dekada se ajo kishte një çrregullim të të ngrënit ngaqë ishte shumë e dobët, ajo gatuante, piqte ëmbëlsira dhe hante çfarë i pëlqente, por tregonte kujdes me porcionet”, shkruan ai.
Sipas tij, aktorja e niste shumicën e ditëve me një vezë të zier, bukë të thekur dhe reçel. Më pas dilte për shëtitje me një ritëm që, siç kujton i biri, ishte lodhës për të gjithë ata që përpiqeshin ta ndiqnin.
Për drekë, Hepburn zgjidhte zakonisht sallatë ose supë, ndërsa nuk hiqte dorë nga një racion i vogël i akullores së saj të preferuar me vanilje dhe shurup panje.
“Darka përbëhej nga një pjatë e vetme me pasta pomodoro dhe një sallatë”, kujton ai. Aktorja e “Roman Holiday” e adhuronte gjithashtu tortën me çokollatë dhe kishte krijuar recetën e saj pa miell.
Audrey Hepburn, e cila u nda nga jeta në vitin 1993, në moshën 63-vjeçare, nuk e pëlqente kirurgjinë plastike dhe zgjodhi të mos ndërhynte në fytyrë.
“Çdo sugjerim për kirurgji plastike ishte i papranueshëm për të, sepse ajo respektonte historinë që mbante çdo vijë e fytyrës," shkruan Ferrer.
Ai kujton edhe një episod me fotografin John Isaac, i cili e fotografoi Hepburn gjatë një udhëtimi me UNICEF-in. Kur i dërgoi imazhet, Isaac i ofroi t’ia ndryshonte pak fytyrën.
“Mos guxo të prekësh asnjë prej atyre rrudhave; e kam merituar secilën prej tyre," iu përgjigj ajo.
Në një intervistë për Vogue në fillim të viteve ’70, Hepburn përshkroi edhe rutinën e saj të mirëqenies dhe bukurisë. Ajo flinte tetë ose nëntë orë, çka, sipas saj, e bënte “plotësisht të lumtur”, i lante vetë flokët çdo katër ose pesë ditë, pëlqente banjat me aroma të këndshme dhe përdorte shumë pak grim.