Partia e Lirisë akuza ndaj qeverisë: Protestat po përballen me dh*në, qytetarët kërkojnë drejtësi dhe ndryshim
Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës se po i përgjigjet protestave qytetare me presion dhe dhunë policore.
Në një deklaratë për mediat, Memelli tha se pakënaqësia e qytetarëve lidhet me rritjen e kostos së jetesës, korrupsionin, emigrimin e të rinjve dhe mungesën e besimit te institucionet.
Sipas saj, në vend të dialogut, qeveria ka zgjedhur përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke e cilësuar këtë si një cenim të të drejtës kushtetuese për tubim dhe shprehje.
Partia e Lirisë pretendon se qytetarët po përballen me rritje të çmimeve, paga të pamjaftueshme dhe mungesë perspektive, ndërsa kërkon më shumë transparencë, zgjedhje të lira dhe institucione të pavarura.
Memelli deklaroi se “as dhuna dhe as intimidimi nuk mund ta ndalin zërin e qytetarëve”, duke bërë thirrje për një qeverisje që, sipas saj, duhet të dëgjojë kërkesat e shqiptarëve.
DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PRESIDENTIT TË PARTISË SË LIRISË, ZNJ. JASMIRA MEMELLI
Përshëndetje!
Sot Shqipëria po jeton një nga momentet më të rënda të degradimit demokratik të viteve të fundit. Në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve që protestojnë për varfërinë, korrupsionin, shtrenjtimin e jetesës, mungesën e shpresës, emigrimin masiv të të rinjve dhe kapjen e shtetit nga një grusht interesash të ngushta, qeveria e Edi Ramës ka zgjedhur t'u përgjigjet me forcë, intimidim, presion dhe dhunë policore.
Protestat e javëve dhe muajve të fundit kanë treguar qartë se pakënaqësia qytetare nuk është më një zë i izoluar apo një reagim i momentit. Ajo është shprehja e revoltës së një shoqërie që nuk pranon më arrogancën e pushtetit, varfërimin e vazhdueshëm, mungesën e mundësive dhe pandëshkueshmërinë e korrupsionit. Çdo ditë e më shumë shqiptarë ndihen të pambrojtur përballë një qeverie që nuk i dëgjon, nuk u përgjigjet dhe nuk mban përgjegjësi për dështimet e saj.
Kur qytetarët dalin në shesh për të kërkuar drejtësi, punë, paga dinjitoze, pensione më të larta, zgjedhje të lira, institucione të pavarura dhe një jetë më të mirë për familjet e tyre, përgjigjja e një qeverie demokratike duhet të jetë dialogu dhe reflektimi. Përgjigjja e kësaj qeverie ka qenë krejt e kundërta: dhunë, presion, kërcënime dhe përdorimi i aparatit shtetëror për të frikësuar qytetarët.
Pamjet e qytetarëve të shtyrë, të goditur dhe të shpërndarë me forcë nga policia janë një njollë e rëndë për një vend që pretendon të jetë demokraci dhe që synon integrimin evropian. Dhuna ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. Liria e tubimit dhe e shprehjes nuk janë privilegje që jepen nga qeveria, por të drejta themelore që duhet të garantohen dhe të mbrohen.
Nuk mund të pretendosh se qeveris në emër të popullit, ndërkohë që i fshihesh atij. Nuk mund të quhesh përfaqësues i qytetarëve kur futesh në Parlament i rrethuar nga dhjetëra efektivë policie, i shoqëruar nga truproja dhe i izoluar nga vetë njerëzit që të kanë besuar votën. Parlamenti duhet të jetë shtëpia e demokracisë, jo një kështjellë e blinduar ku deputetët dhe ministrat hyjnë e dalin nën mbrojtjen e kordoneve policore, sepse kanë frikë të përballen me zemërimin e qytetarëve.
Ky është treguesi më i qartë se pushteti ka humbur kontaktin me realitetin. Një qeveri që ndihet e detyruar të mbrohet nga populli i saj nuk është një qeveri e fortë; është një qeveri që ka humbur besimin, legjitimitetin moral dhe mbështetjen qytetare. As propaganda, as kontrolli mbi institucionet dhe as përdorimi i forcës nuk mund ta fshehin këtë realitet.
Shqiptarët sot përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të papërballueshme. Çmimet e ushqimeve, qiratë, energjia dhe shërbimet janë rritur ndjeshëm, ndërsa pagat dhe pensionet mbeten të pamjaftueshme. Të rinjtë largohen çdo ditë nga vendi sepse nuk shohin perspektivë, bizneset përballen me pasiguri, ndërsa korrupsioni vazhdon të gërryejë besimin tek institucionet. Në vend që të japë zgjidhje për këto probleme, qeveria zgjedh të heshtë zërin e qytetarëve dhe të kriminalizojë protestën.
As dhuna, as propaganda, as intimidimi dhe as përdorimi i policisë si instrument politik nuk mund ta ndalin zërin e shqiptarëve që kërkojnë dinjitet, drejtësi, liri dhe ndryshim. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk mund të mbijetojë duke qeverisur përmes frikës.
Shqipëria meriton një qeveri që dëgjon qytetarët, që respekton të drejtat dhe liritë e tyre, që garanton zgjedhje të lira dhe institucione të pavarura, jo një pushtet që fshihet pas policisë, truprojave dhe dhunës.
Zëri i qytetarëve nuk mund të shtypet me dhunë. Demokracia mbrohet duke dëgjuar popullin, jo duke e goditur atë.
Faleminderit!
