DEBATE NË SALLËN E GJYQIT/ SPAK: Akuzën e vjedhjes, e kemi të bazuar! Beqaj: E kam të vështirë të mbrohem! “Sterilizimi” shtyhet në shtator
Në seancën për çështjen e “Sterilizimit”, Ilir Beqaj kundërshtoi qëndrimin e SPAK lidhur me 23 kërkesat e paraqitura nga mbrojtja, duke pretenduar se gjatë hetimeve i janë cenuar të drejtat procedurale.
“Pranoj që në fazën e hetimeve m’i ka cenuar hapur të drejtat e mia”, deklaroi Beqaj pas qëndrimit të Prokurorisë së Posaçme, duke shtuar se ende nuk ka marrë një sqarim të qartë mbi akuzën ndaj tij.
Sipas ish-ministrit, SPAK nuk ka dhënë përgjigje të plota për natyrën e akuzave dhe mënyrën se si janë ndërtuar ato. “Sot përsëri e kam të vështirë të bëj mbrojtjen, nga SPAK nuk u nda që të ketë një konfirmim mbi qartësinë e akuzës”, tha Beqaj.
Ai ngriti pretendime edhe mbi veprimet hetimore, duke deklaruar se për periudhën 2019-2020, sipas tij, nuk ka pasur hetime konkrete në dosje. “Nuk ka asnjë veprim hetimor, janë zero veprimet paraprake”, u shpreh ish-ministri.
Duke iu referuar akuzës për vjedhje, Beqaj tha se duhet të përcaktohet qartë dëmi dhe rrethanat e pretenduara nga akuza. “Nuk besoj se ka vjedhje para se të shkruhet kontrata, mund të ndodhin vepra të tjera penale. Kur më akuzon, më thuaj një shifër”, deklaroi ai.
Beqaj kërkoi gjithashtu që SPAK të paraqesë të dhëna mbi laboratorin e përdorur për analizimin e provave elektronike, duke ngritur pretendimin se ai nuk është i certifikuar.
Ndërkohë, SPAK kërkoi rrëzimin e të 23 kërkesave të ish-ministrit, duke argumentuar se ato janë të pabazuara në ligj dhe se pretendimet e mbrojtjes janë trajtuar gjatë fazave të mëparshme të procedimit.
Në fund të seancës, avokati i Beqajt kërkoi kohë për t’u njohur me argumentet e SPAK, ndërsa gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më 11 shtator, pasi deklaroi se nuk ishte ende gati për t’u shprehur mbi kërkesat e palëve.
Seanca shtyhet për datë tjetër, edhe gjykata nuk është gati për tu shprehur mbi kërlesat e palëve. Seanca e ardhshme shtyhet për në 11 shtator.
DEBATET NE SALLEN E GJYQIT
Prokurori i SPAK: Kërkesa e Ilir Beqajt për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës e duhet të rrëzohet pasi nuk është bazuar në ligj. Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak, pranimi i kërkesës për gjykim. Pretendimi i Beqajt se akuza e vjedhjes nuk provohet, konstatojmë se i pandehuri nuk shtron kërkesa por bën pyetje që janë sqaruar dhe do trajtohen gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve. Për kërkesën e përjashtimit të të dhënave elektronike nga një kompjuter dhe pavlefshmëri të akteve, vlerësojmë se janë veprime procedurale në konform me Ligjin. Kërkesa 19, akuza për vjedhje duke shpërdoruar detyrën e pavlefshme, vlerësojmë se vendimi është i bazuar në ligj. Sa i takon burime të provës dhe fakteve, në vendimin paraprak theksohen saktësisht dhe gjerësisht, ku theksohet edhe vlera e dëmit që të pandehurit i kanë shkaktuar shtetit. Kërkesa 20, mungesa e kontratës origjinale të prokurimit. Kontrata origjinale nuk është gjetur në MSH, dhe kjo përbën një shkelje, por është gjetur kontrata e njësuar në FSDKSH, por fakti i mos gjetjes së kopjes origjinale të kontratës në MSH, dhe mbi këtë pretendim që nuk duhet të vlerësohet provë e vlefshme, e kundërshtojmë dhe kërkojmë rrëzimin e kërkesës së të pandehurit.
Ilir Beqaj: Faleminderit organit akuzës për përgjigjet. Pranoi që në fazën e hetimeve m’i ka cënuar hapur të drejtat e mia dhe kjo përgjithësisht në 10 kërkesat e para. Sot përsëri unë kam vështirë të bëj mbrojtje nga SPAK, pasi nuk u nda që të ketë një konfirmim mbi qartësinë e akuzës, sot u përdor nga prokurorët për të dyja qëndrimet mbi akuzat. Unë kam kuptuar rreth 3 vjet që merrem që Kodi i Procedurës është garanci organi i akuzës është detyrim, sot me sa kuptoj prokurorët kanë fituar pavarësinë ndaj drejtuesit të prokurorisë, se dikur bënin ça thoshte titullari! Dikur vareshin prej tij, por këtë pavarësi e përdorin sot për të shkelur të drejtat proceduriale dhe bëjnë çfarë të duan pas reformës në drejtësi. Vetë SPAK pranoi se kallëzimi bazohet në pyetje, ka kallëzim me pyetje?! Ndaj duhej të refuzohej. Të paktën në dosje nga 2019-2020, nuk ka asnjë veprim hetimor, janë zero veprimet paraprake. Njoftimi i akuzës thotë deri në këtë fazë të hetimeve, nuk u tha përgjigje pse është kjo deri më këtë fazë të hetimeve. Nuk besoj se ka vjedhje para se të shkruhet kontrata, mund të ndodhin vepra të tjera penale. Kur më akuzon më thuaj një shifër ir-je nga 5 që pretendon. Për laboratorin që kam pretenduar se është i pa certifikuar, i kërkoj gjykatës të urdhërojë SPAK-un të sjellë cila ISP u përdor nga laboratori i SPAK dhe a është i certifikuar. Organi i akuzës thotë se kjo është akuza ndaj teje por disa gjëra që janë këtu nuk janë të sakta, merre pra ndaje, dhe kjo s’është çështje themeli.

