10 vite shfrytëzim për impiantet diellore, por tokat rezultonin bujqësore/ SPAK çon në gjykatë dosjen ndaj Fredi Kokoneshit
Ish-kryebashkiaku socialist i Divjakës, Fredi Kokoneshi, është marrë i pandehur nga SPAK dhe tashmë dosja e tij ka kaluar në Gjykatën e Posaçme.
Kokoneshi akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim me persona të tjerë gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Divjakës.
Dosja e hetuar nga prokurori Elvin Gokaj ka mbërritur në GJKKO, ku pritet shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë fazën paraprake të procesit.
Krahas Fredi Kokoneshit, të pandehur janë marrë edhe Andi Bullari, Ledio Xharo dhe Dorian Spaho. Procedimi penal është regjistruar për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve të SPAK, zyrtarët e Bashkisë dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë procedurave për dhënien me qira të disa pasurive publike.
Sipas të dhënave dhe hetimeve të SPAK, zyrtarët e Bashkisë kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së dhënies me qira të disa pasurive që janë përdorur për impiante diellore me afat shfrytezuimi 10 vjeçar, ndërkohë që në ASHK ishin të regjistruara si tokë bujqësore.
Sipas dosjes hetimore, Bashkia e Divjakës i është drejtuar Ministrisë së Bujqësisë me kërkesë për ndryshimin e kategorisë së tokës, nga tokë bujqësore në tokë pa fryt.
Kompanitë që janë përfshirë në këto procedura rezultojnë “AG hpower &construcion shpk” dhe “Intex shpk”. Sipërfaqet që kanë përfituar janë 67 ha tokë dhe 33.763 m2.
Kujtojmë se për një dosje tjetër penale, në muajin prill të këtij viti u çuan për gjykim, disa zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie për shkelje të barazisë në tendera, por pavarësisht se ishte në rolin e titullarit, për Kokoneshin nuk u ngrit akuzë.
Ta pandehurit Sara Xhepa (Doko), Rokled Malko, Fatos Veliu, Vojsava Leçini dhe Elbaseta Nishica, me funksion drejtoreshë e planifikimit të zhvillimit të territorit akuzohen për 3 procedura tenderimi të kryera nga Bashkia e Divjakës, të cilat kapin vlerën 1 milionë euro.
Hetimi nisi si vijim i një fraksioni të një dosje tjetër. Procedurat për të cilat akuzohen janë kryer në vitin 2020, të firmosura nga titullari, ish-kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi.

