Gjykata vendos për fieraket që dh*nuan “shoqen”/ Arrest në burg dhe në shtëpi për dy nga vajzat e përfshira! Për tjetrën urdhërohet shtrim në spital psikiatrik

Një në burg, një në arrest shtëpie dhe një tjetër në spital psikiatrik.Këto janë masat që Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tre vajzave që dhunuan bashkëmoshataren e tyre, ndërsa më pas pamjet i shpërndanë në internet. Policia ka zgjeruar hetimet, pasi ka dyshime se vajzat përdoreshin edhe në skema shantazhi ndaj personave të tjerë, ku pre e tyre dyshohet se ra edhe një punonjës policie, i cili u përjashtua nga detyra.


Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë për tre vajzat e dyshuara, të cilat ushtruan dhunë ndaj bashkëmoshatares së tyre në Fier, të cilën më pas e filmuan dhe ia publikuan videon në internet.

Me kërkesë të Prokurorisë, togat e zeza vendosën masën "Arrest me burg" për shtetasen L.L., "Arrest në shtëpi" për të miturën K.G., ndërsa për të miturën M.R. u vendos masa "Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik".

Sipas Prokurorisë, të treja dyshohen për kryerjen, në bashkëpunim, të veprës penale "Heqja e paligjshme e lirisë".

Hetimet kanë zbuluar se dhunimi i 17-vjeçares nuk është e vetmja çështje penale ku dyshohet se janë përfshirë tre adoleshentet. Sipas informacioneve të mbledhura nga Policia e Fierit, ato dyshohet se kishin ngritur një skemë shantazhi, përmes së cilës joshnin burra duke u lënë takime në hotele.

Sipas të dhënave, pasi viktimat mbërrinin në dhomën e hotelit, aty paraqitej një person tjetër që i fotografonte, ndërsa më pas këto pamje përdoreshin për t'i shantazhuar.

Në këtë skemë dyshohet se ka rënë edhe një punonjës policie, baba i dy fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja. Ajo kishte tentuar ta bindte të takohej në hotel, por efektivi kishte pranuar vetëm një takim në një lokal.

Megjithatë, bisedat e zhvilluara mes tyre dyshohet se janë përdorur për ta kërcënuar, me kërkesën që procedimi penal ndaj vajzave për dhunimin e bashkëmoshatares të mbyllej. Në të kundërt, komunikimet do të publikoheshin në internet.

Pas këtij rasti, punonjësi i policisë është përjashtuar nga detyra, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijon verifikimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Prokuroria thekson se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe u ka bërë apel qytetarëve, administratorëve të rrjeteve sociale dhe mediave që të mos publikojnë apo ripublikojnë pamje ose të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e të miturve të përfshirë, në respekt të privatësisë dhe të drejtave të tyre.