Zbulohen 3 lokale ku organizoheshin lojëra fati/ Dy persona në pranga, dy në kërkim! Sekuestrohen 3 makineta, 1 tavolinë pokeri dhe... (VIDEO)
Policia e Tiranës ka goditur sërish raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet. Gjatë kontrolleve u zbuluan tre lokale ku dyshohet se zhvilloheshin këto aktivitete, ndërsa u sekuestruan makineta, tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe celularë. Gjatë operacionit, dy persona u arrestuan, katër u proceduan në gjendje të lirë dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Policia e Tiranës finalizoi operacionin “Last Bet”, duke goditur tre raste të dyshuara të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet.
Kontrollet e kryera në disa ambiente zbuluan pajisje që dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Në një prej rasteve, në një lokal në rrugën “Aleks Çaçi”, u gjetën dy makineta, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi. Për këtë rast, një person u arrestua, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në organizimin e aktivitetit.
Një tjetër rast u evidentua në zonën e Bathores, ku gjatë kontrollit në një lokal u gjet një makinetë dhe një telefon celular që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit. Për këtë ngjarje u arrestua administratori i ambientit.
Ndërkohë, hetimet zbuluan edhe një rast tjetër të dyshuar për organizim bastesh sportive nëpërmjet pajisjeve elektronike. Gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, disa persona u proceduan në gjendje të lirë, pasi dyshohet se përdornin telefonat celularë për këtë veprimtari.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan tre makineta, një tavolinë pokeri, pajisje të ndryshme të lojërave të fatit, çipsa, letra bixhozi dhe pesë telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
