Populli turk feston rihapjen e Shën Sofisë si xhami me një marshim në Stamboll
Një marshim në Stamboll për të shënuar përvjetorin e rihapjes së Shën Sofisë si xhami është njoftuar nga krahu rinor i partisë në pushtet të Turqisë, duke u bërë thirrje të rinjve dhe banorëve të qytetit të marrin pjesë. Eventi, i organizuar për të dytin vit radhazi nga krahu rinor i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në Stamboll, është planifikuar të fillojë në orën 21:00 të premten nga Sheshi Beyazit. Pjesëmarrësit do të lëvizin drejt Shën Sofisë, në Gadishullin Historik të qytetit.
Sipas raportimeve të huaja, Kryetari i të Rinjve të AKP-së në Stamboll, Nevzat Yuce, u bëri thirrje banorëve, veçanërisht të rinjve, të marrin pjesë në marshimin në përvjetorin e vendimit që lejoi përsëri adhurimin mysliman në Shën Sofi.
"Do të takohemi me të rinjtë e Stambollit dhe të gjithë bashkëqytetarët tanë për të mbajtur një marshim simbolik nga Sheshi Beyazit deri në Shën Sofi", tha Yuce në një deklaratë .
Ai vuri në dukje se marshimi i parë i ngjashëm, i cili u zhvillua vitin e kaluar, pati një pjesëmarrje të madhe, duke shprehur vlerësimin e tij se edhe ky vit do të mbledhë një numër të madh njerëzish.
Vendimi i vitit 2020 që ndryshoi statusin e Shën Sofisë
Në vitin 2016, Shoqata për Shërbimin e Institucioneve Historike dhe Mjedisit i ishte drejtuar Këshillit të Shtetit Turk duke kërkuar anulimin e vendimit të kabinetit të vitit 1934, me anë të të cilit Shën Sofia ishte shndërruar në muze. Çështja u mbyll më 10 korrik 2020, kur Dhoma e 10-të e Këshillit të Shtetit Turk anuloi unanimisht vendimin e vitit 1934, duke i hequr monumentit statusin muze.
Vendimi u prit me festime nga qytetarët që ishin mbledhur në sheshin përpara Shën Sofisë. Po atë ditë, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nënshkroi dekretin presidencial përkatës për rihapjen e Shën Sofisë si vend adhurimi mysliman.
