Vr*tet në një s*lm ajror punonjësi i njohur i ndihmave në Gaza, komuniteti në zi për Mohammed al-Wahidin

Punonjësi palestinez i ndihmave humanitare, Mohammed al-Wahidi, është vrarë në një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës, duke shkaktuar reagime të forta dhe pikëllim mes banorëve të Rripit të Gazës, ku ai njihej si një nga figurat më të angazhuara në ndihmën për familjet e zhvendosura. Sipas raportimeve, një raketë izraelite goditi taksinë me të cilën udhëtonte al-Wahidi në lagjen Sabra. Nga sulmi humbën jetën edhe tre persona të tjerë, mes tyre dy vëllezër të moshës 8 dhe 10 vjeç, si dhe një burrë tjetër që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.

Ushtria izraelite deklaroi se objektivi i sulmit ishte një operativ i Hamasit dhe shtoi se po verifikon raportimet për viktima civile.

65-vjeçari Mohammed al-Wahidi kishte qenë profesor i gjuhës angleze para shpërthimit të luftës, ndërsa gjatë konfliktit u bë një nga drejtuesit e Komitetit Egjiptian të Ndihmës në Gaza, organizatë e mbështetur nga Egjipti që koordinon shpërndarjen e ndihmave humanitare në territor.

Për më shumë se dy vjet e gjysmë ai punoi në terren, duke organizuar shpërndarjen e ushqimeve, ngritjen e kampeve për familjet e zhvendosura dhe ofrimin e ndihmës për komunitetet e prekura nga lufta. Vullnetarët dhe banorët e Gazës e kujtojnë si një njeri që ishte gjithmonë pranë njerëzve në nevojë, duke preferuar të punonte në terren sesa nga zyrat.

Në javët e fundit, al-Wahidi kishte organizuar edhe transmetime publike të ndeshjeve të Kupës së Botës në Gaza City, Deir al-Balah dhe zonën al-Mawasi, me synimin për t’u dhënë fëmijëve dhe familjeve një moment shprese mes shkatërrimit të luftës. Ironikisht, ai u vra vetëm pak para nisjes së ndeshjes Argjentinë–Egjipt.

Pas lajmit për vdekjen e tij, rrjetet sociale u mbushën me fotografi, video dhe mesazhe ngushëllimi nga njerëz që kishin përfituar nga puna e tij humanitare. Aktivisti Mohamed Hmeid e përshkroi al-Wahidin si “një dritare shprese për të zhvendosurit dhe ata që kishin humbur gjithçka”.

Vdekja e tij vjen në një kohë kur punonjësit humanitarë në Gaza vazhdojnë të përballen me rreziqe të mëdha. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, deri në fund të prillit janë vrarë të paktën 593 punonjës humanitarë që nga fillimi i luftës. Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, numri i viktimave nga operacionet ushtarake izraelite ka kaluar 73 mijë, ndërsa konflikti vazhdon të shkaktojë një krizë të rëndë humanitare në territor.