PLAS TRITOLI NË VLORË! Lënda plasëse godet një lokal, policia nis hetimet për autorët

Një shpërthim me lëndë plasëse, që paraprakisht dyshohet të jetë tritol, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një lokal në Vlorë.

Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në ambientet e biznesit, ndërsa është dëmtuar edhe një automjet i parkuar pranë tij. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:00 të mëngjesit të së enjtes.

Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë së Vlorës dhe grupi i ekspertizës kriminalistike, të cilët nisën këqyrjen e zonës dhe grumbullimin e provave.

Hetimet janë përqendruar në identifikimin e autorit ose autorëve, si edhe në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri në këtë fazë, dëmet janë vetëm materiale, ndërsa puna hetimore vijon.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vlorë / Informacion paraprak

Sot, rreth orës 03:45, në lagjen "Pavarësia 3", në derën e një lokali në pronësi të shtetasit G.P., është vendosur një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë, janë shkatuar vetëm dëme materiale.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.