“RILIND” INDUSTRIA USHTARAKE/ Rama: Marrëveshja me “Fincantieri” hap një fazë të re industriale

Në bazën e Pashalimanit u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes kompanisë italiane Fincantieri, kompanisë shtetërore KAYO dhe shkollës industriale “Pavarësia” në Vlorë. Kryeministri Edi Rama e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për rilindjen e industrisë ushtarake shqiptare, krijimin e 500 vendeve të punës dhe formimin e specialistëve të rinj. Sipas tij, partneriteti forcon bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në bazën detare të Pashalimanit u hodh një tjetër hap drejt zhvillimit të industrisë ushtarake shqiptare, me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes kompanisë italiane Fincantieri, kompanisë shtetërore KAYO dhe shkollës industriale “Pavarësia” në Vlorë.

I pranishën në nën shkrim, kryeministri Edi Rama theksoi se kjo marrëveshje synon zhvillimin e praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare.

Rama: "Jemi këtu sot protagonistë të mundshëm të kësaj historie të re që fillon për bazën e Pashalimanit... marrëveshja mes Fincantieri dhe KAYO hap një fazë të re për këtë kantier detar."

Ai deklaroi se marrëveshja shënon fillimin e një etape të re për industrinë ushtarake për ndërtimin e një sistemi modern industrial në vend.

Rama: "Sot ne jemi në një fazë krejt të re ku industria ushtarake po rilind hap pas hapi... kjo nuk është as marrëveshja e parë dhe as e fundit."

Rama tha se një nga elementët kryesorë të marrëveshjes është përgatitja e specialistëve të rinj dhe krijimi i vendeve të reja të punës në Pashaliman.

Rama: "Janë 500 vende pune të mirëpaguara... nxënësit do të trajnohen në kantieret e Fincantierit në Itali dhe do të punojnë me mjeshtrit e kompanisë."

Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i Fincantieri-t, Pierroberto Folgiero, vuri theksin te rëndësia e kapitalit njerëzor, duke deklaruar se suksesi i industrisë së ndërtimit të anijeve varet mbi të gjitha nga profesionistët e kualifikuar.

Ai bëri të ditur se kompania synon të ndërtojë 10 mjete lundruese gjatë periudhës 2026–2030 dhe të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm industrial, duke bashkëpunuar ngushtë me shkollën "Pavarësia" dhe kompaninë KAYO për përgatitjen e brezit të ri të specialistëve shqiptarë.