“REVOLUCIONI” NË DERË TË KUVENDIT/ Deputetët sulmohen me vezë e ujë. Ndalohen Dritan Goxhaj e të tjerë
Sheshi para Kuvendit u shndërrua në arenë përplasjesh mes policisë e protestuesve që kishin rrethuar tempullin e demokracisë në ditën që protestat e nisur kundër Zvërnecit e vijon kundër klasës politike shënoi një muaj. Disa protestues mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj u ndaluan për disa orë dhe më pas u lanë të lirë
Këto pamje tregojnë momentet e përplasjes mes forcave të Policisë së Shtetit dhe protestuesve, të cilët kishin rrethuar Kuvendin gjatë zhvillimit të seancës plenare dhe sulmuan me vezë, ujë dhe sende të tjera automjetet e deputetëve dhe ministrave.
Një nga personat e shoqëruar ishte edhe Dritan Goxhaj, i cili ditët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes pasi lexoi në protestën para Kryeministrisë pesë kërkesat e protestuesve, mes të cilave edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama

Tensionet dhe përplasjet vijuan për disa minuta, edhe nën reshjet e papritura të shiut që pasuan temperaturat e larta të ditës.
Përplasjet erdhën pasi protestuesit goditën me vezë automjetet e disa deputetëve, si dhe makinën e zëvendëskryeministres Albana Koçiu.
Pas shoqërimeve, një pjesë e protestuesve marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe më pas te Komisariati nr. 1, ku qëndruan deri në lirimin e Dritan Goxhajt dhe dy personave të tjerë të ndaluar.
Protesta nisi në mënyrë paqësore, njëkohësisht me seancën plenare, por sulmet me vezë ndaj ligjvënësve ishin paralajmëruar më herët.
Deputeti socialist Tërmet Peçi u gjend në një moment i rrethuar nga protestuesit, të cilët ishin vendosur në të gjitha hyrjet që deputetët përdorin për të hyrë në Kuvend.
Tubimi, që zgjati për disa orë, u shoqërua me pankarta dhe thirrje kundër klasës politike.
