Shavarsh Karapetyan, një kampion dhe një hero, notari që hyri në histori duke dëgjuar zemrën

Më 16 shtator 1976, buzë liqenit të ndotur të Jerevanit, historia njerëzore do të njihej me një akt të jashtëzakonshëm guximi. Shavarsh Karapetyan, një kampion bote 23-vjeçar vozitjen me rrema, sapo kishte përfunduar një stërvitje rraskapitëse prej 21 kilometrash. I lodhur dhe i përfshirë nga ritmi i përditshëm i një sportisti të përkushtuar, ai nuk mund ta kishte imagjinuar se vetëm pak minuta më vonë do të hynte në histori, jo si atlet, por si shpëtimtar i dhjetëra jetëve.

Një trolejbus kishte dalë nga rruga mbi digë dhe ishte fundosur me shpejtësi në ujërat e liqenit, duke marrë me vete dhjetëra pasagjerë të bllokuar brenda. Karapetyan nuk u mendua. Ai hoqi rrobat, u zhyt në ujin e ftohtë dhe të turbullt të ndotur rëndë nga mbetjet industriale, dhe nisi të notonte afro 5 kilometra drejt vendit të aksidentit.

Në një mjedis me dukshmëri pothuajse zero, ai arriti te autobusi i zhytur. Me daljet e bllokuara, e vetmja mundësi ishte ta thyente xhamin e pasmë me këmbë, akt që i shkaktoi plagë të thella dhe të dhimbshme. Megjithatë, për 20 minuta me radhë, ai u zhyt e doli në sipërfaqe, çdo herë me një njeri tjetër në krahë. Në total, Karapetyan nxori 37 vetë nga autobusi – prej të cilëve 20 mbijetuan. Nëntë të tjerë shpëtuan falë mundësisë që u krijua nga xhami i thyer.

Akt trimërie që la pasoja të rënda, si pneumoni, dëmtime në mushkëri, tre javë spital dhe një rrugë e gjatë rikuperimi. Por Karapetyan nuk u dorëzua. Ai u rikthye në sport, fitoi medaljen e fundit të artë dhe vendosi rekordin e tij të 11-të botëror, përpara se të largohej nga garat, duke dëshmuar se forca e tij nuk ishte vetëm në muskujt, por në shpirtin.

Por historia nuk përfundon aty. Në vitin 1985, kur një godinë në Jerevan u përfshi nga flakët, Shavarshi ndërhyri sërish për të ndihmuar njerëzit e rrezikuar, duke u dëmtuar për herë të dytë. Ai nuk ishte më thjesht një kampion, ishte bërë një simbol i njeriut që e tejkalon vetveten për të shpëtuar tjetrin.

Për vite me radhë, heroizmi i tij mbeti i panjohur, derisa në vitin 1982, një gazetë sovjetike botoi historinë që më në fund i dha Karapetyanit vendin që i takonte në ndërgjegjen publike. Ai u dekorua me Urdhrin e Flamurit të Kuq të Punës dhe Medaljen për Trimëri. Në Jerevan, pranë liqenit ku ndodhi shpëtimi, u ngrit një monument në nder të tij, një kujtesë e përjetshme për guximin njerëzor.

Pas sportit, Karapetyan u përkushtua në ndërtimin e pajisjeve për notuesit e rinj dhe themeloi një punishte për prodhimin e rremave. Nuk kërkoi famë, as shpërblim, veçse e jetoi jetën me dinjitetin e atyre që kanë parë vdekjen në sy dhe e kanë sfiduar për t’i dhënë jetë të tjerëve.

Shavarsh Karapetyan mbetet një nga figurat më frymëzuese të shekullit XX, një dëshmi se heronjtë e vërtetë nuk lindin në karrige pushteti, por në çastet kur ndërgjegjja dhe zemra veprojnë më shpejt se frika.

Përgatiti: Albert Vataj