”The Art Newspaper”: Skulptura e Ramës prezantohet në ”Art Basel”

Vizitorët e “Art Basel” do të shohin këtë vit në seksionin e artit publik “Parcours” një vepër nga një artist i pazakontë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkruan prestigjiozja e artit, ”The Art Newspaper”.

Rama paraqet një skulpturë bronzi, “Untitled” (”Pa titull”), e vitit 2026, që ndodhet në fund të ”Clarastrasse”, me pamje nga lumi Ren.

Në tetor të vitit të kaluar, ”Societe Gallery” në Berlin njoftoi se kishte shtuar Ramën në listën e artistëve që përfaqësohet. Ai përfaqësohet gjithashtu edhe nga “Marian Goodman Gallery“).

Për ”Parcours”, Rama paraqet një skulpturë të re monumentale në bronz, të krijuar mbi bazën e vizatimeve të realizuara në Kryeministri, thuhet në deklaratën e “Société”.

Galeria shton se vizatimet e Ramës krijohen gjatë dhe ndërmjet takimeve në funksionin e tij si kryeministër.

Ekspozita aktuale e Ramës në hapësirën e “Société” në Berlin, me titull “Chrysalizing” (e hapur deri më 27 qershor), përfshin një seri skulpturash të reja në bronz.

”Të shtrira në katin e parë të galerisë dhe duke vazhduar jashtë në kopsht, format mbi piedestale dhe bazamente të ulëta shpërthejnë, fryhen, rrotullohen dhe shumëfishohen”, thuhet në deklaratën e galerisë.

Një zëdhënës i galerisë shton se vepra e paraqitur në ”Parcours” është një version i skulpturës në bronz që ndodhet aktualisht në kopshtin e ”Société”, por me një ngjyrë tjetër të shtresës së sipërme.

Rama, i cili siguroi një mandat të katërt të paprecedentë në maj 2025 pasi bëri fushatë për ta afruar Shqipërinë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është një artist i konsoliduar.

I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai punoi për disa vite në Paris para se t’i hynte politikës në fund të viteve 1990.

Ai u bë kryeministër në vitin 2013. Që atëherë ka vazhduar të krijojë art, duke ekspozuar në “Centre Pompidou” në vitin 2010 dhe në Bienalen e Venecias në vitin 2017.