TRAGJEDI FAMILJARE NË GREQI/ Katër vëllezër e motra humbin jetën në banesën-kontenier
Një ngjarje tragjike ka tronditur Greqinë, ku katër persona humbën jetën pas një zjarri që përfshiu banesën-kontenier ku jetonin në zonën e Konicës. Viktimat dyshohet se janë katër vëllezër e motra të moshës 64 deri në 84 vjeç. Autoritetet po hetojnë shkaqet e ngjarjes, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga humbja.
Një zjarr me pasoja fatale ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në një banesë-kontenier në Konicë të Greqisë, duke u marrë jetën katër personave që ndodheshin brenda saj.
Trupat e pajetë u zbuluan pasi ekipet e emergjencës arritën të vendosnin nën kontroll flakët që kishin përfshirë gjithë strukturën.
Sipas raportimeve paraprake, viktimat janë katër vëllezer e motra të moshës 64 deri në 84 vjeç, të cilët jetonin në kontenier prej 30 vitesh, pas një tërmeti në zonë që në atë kohë ju dëmtoi shtëpinë.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht identitetin e tyre, ndërsa procedurat e identifikimit vazhdojnë.
Në vendngjarje u angazhuan pesë automjete zjarrfikëse dhe dhjetë zjarrfikës nga Konica dhe Janina, të cilët arritën të shuajnë flakët pas një operacioni disaorësh.
Në terren mbërritën gjithashtu hetues të shërbimit zjarrfikës, efektivë policie dhe ekipe të emergjencës mjekësore.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa ekspertët e repartit hetimor të zjarrfikësve kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.
Pistat e mundëshme janë ato të një defekti elektrik apo një incident aksidental brenda banesës, autoritetet nuk kanë përjashtuar asnjë skenar dhe pritet që ekspertiza teknike të hedhë dritë mbi mënyrën se si nisi zjarri fatal.
Autoritetet Greke pritet të publikojnë rezultatet paraprake të hetimeve në ditët në vijim, ndërssa familjarët dhe banorët e zonës vijojnë të jenë në gjendje shoku për humbjen tragjike.
