SHERR BRENDA KAFAZIT TË GJKKO/ Tre vëllezër dhunojnë “bashkëpunëtorin në vrasjen” e Renis Dobrës

Një incident i paprecedentë u shënua brenda gjykatës së Posacme.  Tre vëllezërt Bushgjokaj sulmuan fizikisht Petrit Çakrin gjatë seancës për vrasjen e Renis Dobrës. Përplasja ndodhi në momentin kur Çakri po niste dëshminë e tij për krimin e vitit 2025.

Si asnjëherë më parë, një përplasje e dhunshme u shënua brenda kafazit të xhamtë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Tre vëllezërit Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj dhunuan fizikisht Petrit Çakrin, sapo ky i fundit do të niste dëshminë në procesin për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, krim për të cilin akuzohen të katërt.

Sipas vëllezërve Bushgjokaj, Çakri ka gënjyer në dëshmi dhe kjo ka bërë që ata të reagojnë duke e dhunuar fizikisht brenda kafazit të xhamtë ku qëndronin të katërt gjatë gjyqit.

Mësohet se ishte Kristi Bushgjoka ai që e nisi dhunën, kur është ngritur në këmbë brenda kafazit të qelqtë, duke i thënë gjykatës: “Me leje, gjyqtar?”. Menjëherë më pas i është drejtuar Petrit Çakrit, duke e sulmuar me grushte, ndërsa pas tij kanë ndërhyrë edhe dy vëllezërit e tjerë, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjoka.

Situata e dhunës brenda sallës së Gjykatës së Posaçme kërkoi edhe ndërhyrjen e forcave të shtuara të Policisë së Shtetit, për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi të mëtejshëm.

Petrit Çakri, i njohur si një prej dëshmitarëve në procesin për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, akuzohet se në bashkëpunim me tre vëllezërit Bushgjokaj ndoqi, rrëmbeu dhe vrau të riun Renis Dobra.

Krimi u shënua më 8 korrik 2025, ndërsa trupi i 23-vjeçarit u tentua të hidhej në liqenin e Ulzës brenda një makine, me synim fshehjen e krimit, por automjeti nuk përfundoi në ujë.

Sipas hetimit, rrëmbimi dhe vrasja e të riut është pasojë e konflikteve të lidhura me drogën.